Kinematografia shqiptare në zi, ndahet nga jeta aktorja Rezana Çeliku

Kinematografia shqiptare humbet një nga figurat e njohura të ekranit. Aktorja dhe ish-prezantuesja Rezana Çeliku është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas disa role që vijojnë të kujtohen nga publiku edhe dekada pas realizimit të tyre.
Çeliku nuk ishte aktore e formuar në Akademinë e Arteve, por hyri në botën e televizionit dhe filmit thuajse rastësisht. Natyrshmëria para kamerës, eleganca dhe mënyra e saj e komunikimit tërhoqën vëmendjen e regjisorëve të kohës, ndërsa më herët ajo ishte shfaqur edhe si spikere dhe prezantuese e festivaleve e programeve në Televizionin Shqiptar.
Kontakti i parë me kinemanë erdhi me filmin “Zonja nga qyteti”, ku fillimisht ishte marrë në konsideratë për rolin e Melit, që më pas iu besua Rajmonda Bulkut. Rezana Çeliku interpretoi në këtë film rolin e Valit, duke shënuar kështu një nga paraqitjet e saj të para në ekran.
Më pas ajo u përzgjodh nga regjisori Kujtim Çashku për filmin “Ata ishin katër”, të vitit 1977, ku interpretoi Shpresën. Filmi, me regji të Kujtim Çashkut dhe Esat Musliut, mbetet një nga realizimet e njohura të kinematografisë shqiptare të asaj periudhe.
Një tjetër rol me të cilin Çeliku u bë e njohur për publikun ishte ai i mësuese Zanës në filmin televiziv “Shokë të një skuadre”, të realizuar në vitin 1984. Përveç këtyre prodhimeve, ajo interpretoi edhe në filmin “Rënia e idhujve”, në rolin e Diellës.
Por një nga interpretimet që mbeti më gjatë në kujtesën e publikut ishte ai i Verës, centralistes në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, realizuar në fund të viteve ’80. Personazhi i saj, një grua që krijonte një marrëdhënie me një djalë më të ri, konsiderohej i guximshëm për mentalitetin dhe kinematografinë shqiptare të asaj kohe dhe shkaktoi diskutime.
Vetë Çeliku kishte treguar vite më vonë se roli nuk kishte qenë fillimisht ndër më të dëshiruarit prej saj dhe se pas shfaqjes së filmit kishte ndier edhe peshën e paragjykimeve të kohës. Megjithatë, ai mbeti interpretimi i saj i fundit në kinematografi, përpara se të vendoste të largohej nga aktrimi.
Krahas filmit, Rezana Çeliku pati një histori të hershme edhe me televizionin. Ajo punoi si spikere dhe prezantuese në TVSH dhe drejtoi festivale e programe televizive që në moshë të re. Në rrëfimet e saj, ajo kishte treguar se hyrja në botën e filmit kishte ardhur pikërisht pasi regjisorët e kishin parë gjatë prezantimeve të saj televizive.
Karriera e saj në televizion u ndërpre pas një incidenti në ambientet e grimit të TVSH-së, kur një pajisje elektrike ishte harruar në prizë. Çeliku kishte treguar se ngjarja u trajtua në atë kohë si një çështje shumë më serioze dhe përfundimisht çoi në largimin e saj nga ekrani.
Megjithëse arti mbeti një pjesë e rëndësishme e jetës së saj, Rezana Çeliku zgjodhi një tjetër rrugë profesionale. Ajo punoi për një periudhë edhe si mësuese matematike-fizike në zona të Tiranës, ndërsa më pas përfundoi studimet në Ekonomi dhe Juridik.
Për shumë vite ajo shërbeu në administratën publike, pranë Bashkisë së Tiranës, në strukturat që lidheshin me marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin me qytetarët, duke qëndruar larg botës së filmit dhe ekranit.
Megjithatë, për publikun emri i saj mbeti i lidhur me kinemanë shqiptare dhe me një brez interpretuesish që, edhe pa e pasur domosdoshmërisht aktrimin si profesion të përhershëm, lanë personazhe të dallueshme në filmat e kohës.
Ceremonia e lamtumirës për Rezana Çelikun do të mbahet ditën e nesërme, ku familjarë, miq dhe të afërm do t’i japin lamtumirën e fundit aktores.