S’ka marrëveshje sot në KP: Opozita e bashkuar dhe Hajdari, pro hapjes së listave 100%, Gjiknuri: “Rregullimi i tyre pas votimit të ndryshimeve kushtetuese”
Pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Politik, që zgjati më shumë se dy orë dhe pas dakordësisë së palëve për t’u ulur në tryezë për ndryshimet kushtetuese përfaqësuesit e Opozitës Jashtëparlamentare në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili, përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari dhe përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri dolën në deklaratë për shtyp në lidhje me atë që u diskutua.
Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili u shprehën se kërkesa e opozitës është e qartë, lista të hapura në nivelin 100% dhe te mos preken koalicionet parazgjedhore dhe shpërndarja e mandateve, ashtu siç edhe krerët e partive përkatëse thanë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Bylykbashi tha se mazhoranca duhet të reflektojë dhe të pranojë hapjen e 100% të listave, për sa kohë është çështje që duhet trajtuar në Këshillin Politik.
Ndërkohë që Vasili tha se çëshjta e listave të hapura nga ana e mazhorancës ishte një farsë për heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Po duket se një kërkesë e tillë nuk u pëlqye shumë nga ana e mazhorancës.
Gjiknuri tha se në lidhje me hapjen e listave dhe koalicionet, ato mund të rregullohen në kodin zgjedhor pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në parlament.”Hapja e listave ka sfida të mëdha administrative. Ndaj duhet kujdes në mënyrën se si formohen koalicionet.Rëndësi e madhe është hapja e listave.”
Ndërkohë nismëtarja e listave të hapura Hajdari tha se i qëndron vendimit për hapjen e listave në nivelin 100% dhe se tani hapja e tyre është realitet për shqiptarët.