Skip to content
Kryesore

Kaos te Fakulteti i Mjekësisë/ Mungojnë formularët, studentët presin me orë për t’u regjistruar

· 2 min lexim

Studentë dhe prindër janë përballur këtë të mërkurë me pritje dhe sorollatje në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, pasi procesi i regjistrimit është penguar edhe nga mungesa e formularëve të printuar.

Sipas një denoncimi, studentët kanë qëndruar që prej orëve të para të mëngjesit pranë sekretarisë së fakultetit, por nuk kanë arritur të përfundojnë regjistrimin.

Një prind denoncon se studentët fillimisht janë detyruar të drejtohen në postë dhe banka për të kryer pagesën e regjistrimit. Sipas tij, procedura mund të ishte organizuar në mënyrë më të thjeshtë, në mënyrë që studentët të paraqiteshin në fakultet me pagesën të kryer paraprakisht.

Problemet nuk kanë përfunduar me pagesën. Sipas denoncimit, në fakultet mungojnë formularët e printuar të nevojshëm për regjistrimin. Për këtë arsye, studentëve u është kërkuar të largohen dhe të rikthehen sërish pasdite, rreth orës 16:00.

Situata ka shkaktuar pakënaqësi mes studentëve dhe familjarëve të tyre, të cilët pretendojnë se prej disa orësh po presin pa mundur të përfundojnë procedurën e regjistrimit.

Vështirësia është edhe më e madhe për studentët që vijnë nga rrethet. Rikthimi në fakultet gjatë pasdites i vendos ata përballë problemeve të tjera, pasi në orët e vona mund ta kenë të pamundur të kthehen në vendbanimet e tyre për shkak të mungesës së transportit.