Kaos në Qafë Botë, defekti në sistemin grek bllokon kufirin! Qytetarët presin me orë në radhë nën vapë

Radhë të gjata automjetesh dhe pritje që zgjasin prej disa orësh janë krijuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, pasi pala greke ka raportuar një defekt teknik në sistemin elektronik të regjistrimit.
Sipas burimeve nga PKK Qafë Botë, problemi ka bllokuar përkohësisht regjistrimin e personave dhe automjeteve në anën greke të kufirit, duke ngadalësuar ndjeshëm përpunimin e kalimeve dhe duke shkaktuar radhë kilometrike.
Pas komunikimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke, është konfirmuar se sistemi elektronik i palës greke ka pësuar një defekt teknik. Specialistët po punojnë për rikthimin e tij në funksion, por deri në zgjidhjen e problemit kalimet vijojnë me vonesa të konsiderueshme.
Ndërkohë, dhjetëra qytetarë dhe drejtues automjetesh mbeten të bllokuar në pritje, nën temperatura të larta, në pritje të normalizimit të situatës në pikën kufitare.