Skip to content
Kryesore

Jo, Rame! Martin Canin nuk e vrau algoritmi, por ky zinxhir dështimesh shtetërore

· 11 min lexim

Edi Rama është rikthyer te vrasja e Martin Canit, por jo për të pranuar dështimin e shtetit, për të kërkuar falje apo për të shpjeguar pse një fëmijë u vra pas një vargu paralajmërimesh të injoruara.

Ai u rikthye për të gjetur një tjetër fajtor: algoritmin.

Gjatë inaugurimit të Qendrës së Monitorimit për projektin “Smart City”, Rama e cilësoi algoritmin si “armikun e fëmijëve” dhe e paraqiti inteligjencën artificiale si përgjigjen ndaj tragjedive të tilla.

“Sot, kur jemi në kohën e armikut të fëmijëve, rrezikut të rrugaçit të lagjes që është algoritmi, ky sistem do të na japë krah”, deklaroi ai.

Por përpara se të shpallte algoritmin fajtor, kryeministri bëri edhe dy gjëra të tjera: justifikoi institucionet dhe sulmoi mediat që mbajtën gjallë çështjen.

“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës ‘Fan Noli’, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë konvulsive psikologjike, me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Në ndërkohë që Policia e Shtetit dhe natyrisht, përmes Policisë së Shtetit, Ministria e Arsimit, qeveria, u vunë në shënjestër të gjithfarë lloj spekulimesh, akuzash, sajesash dhe fabrikimesh”, tha Rama.

Në pak fjali, kryeministri ndërtoi narrativën që i duhet pushtetit.

Problemi, sipas tij, nuk janë institucionet që nuk reaguan, por algoritmi. Nuk është qeveria që heshti, por media që raportoi. Nuk është drejtësia që u zvarrit, por “politizimi”. Nuk është fakti se një fëmijë u vra pranë shkollës pas kërcënimeve të qarta, por mënyra se si kjo ngjarje u kthye në çështje publike.

Kjo është përpjekje për të rishkruar historinë e vrasjes së Martin Canit.

Në versionin e Ramës, institucionet reaguan, shteti bëri detyrën dhe tragjedia u përdor nga politika dhe media. Faktet tregojnë të kundërtën.

Sipas dëshmive të bëra publike, autori kishte paralajmëruar në shkollë se do të vinte me thikë. Madje kishte treguar edhe përmasën e saj.

“Do të vij me një thikë kaq”, kishte thënë ai.

Ky nuk ishte një sinjal i fshehur në TikTok apo një kod i padukshëm i algoritmit. Ishte një kërcënim konkret, i shprehur në shkollë, përpara nxënësve dhe personave që kishin detyrimin të reagonin.

Nuk reaguan mësuesit. Nuk reagoi drejtoria. Nuk u aktivizua protokolli i sigurisë. Nuk u njoftuan familjet. Nuk u parandalua largimi i nxënësve dhe nuk u ndërpre konflikti.

Përgjegjësia nis pikërisht këtu.

Shkolla “Fan Noli” kishte detyrimin të kontrollonte hyrjet, daljet, mungesat, konfliktet dhe paralajmërimet për dhunë. Por një konflikt i njohur u lejua të përshkallëzohej deri në vrasje.

Oficerët e sigurisë në shkolla janë përshkruar nga vetë punonjësit si të pambështetur, pa autoritet real, të paguar dobët dhe nën presion për të mos raportuar problematika. Ata trajtohen si roje dhe si “spiunë” kur sinjalizojnë dhunën.

Madje, edhe kur janë bërë kallëzime penale dhe janë dorëzuar fakte te organet e policisë gjyqësore, institucionet nuk kanë marrë masa.

Sinjalet ekzistonin. Denoncimet ekzistonin. Ajo që mungonte ishte reagimi.

Pak ditë para vrasjes së Martinit, në gjimnazin “Petro Nini” ishte parandaluar një tjetër ngjarje e rëndë, pasi një nxënësi iu gjetën thikë dhe sopatë. Në vend që rasti të shërbente si sinjal për kontrolle kombëtare, forcim protokollesh dhe njoftim të prindërve, ngjarja ishte mbajtur larg publikut nga Policia dhe Ministria e Arsimit.

Fshehja e incidenteve nuk eliminon dhunën. Vetëm i hap rrugën tragjedisë tjetër.

Rasti ekspozoi edhe mungesën e psikologëve funksionalë, punonjësve socialë dhe mekanizmave për ndërhyrjen në konfliktet mes nxënësve. Në disa shkolla këto struktura mungojnë, ndërsa në të tjera ekzistojnë vetëm formalisht. Konfliktet minimizohen dhe paralajmërimet mbyllen brenda zyrave, derisa shndërrohen në tragjedi.

Por Rama nuk foli për mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, psikologët apo incidentet e fshehura.

Ai foli për algoritmin.

Ministria e Arsimit nuk dha një analizë të plotë publike. Nuk shpjegoi kush e dinte kërcënimin, kujt iu raportua, çfarë masash u morën dhe pse nuk u parandalua sulmi. Nuk pati raport të pavarur, kronologji zyrtare, audit sigurie, listë përgjegjësish apo analizë të rolit të mësuesve, drejtuesve, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë.

Drejtoresha e shkollës, Merita Nanaj, nuk dha transparencë të plotë, nuk shpjegoi paralajmërimet dhe nuk komunikoi siç pritej me familjen e viktimës. Reagimi i saj u kufizua në një status në Facebook. Kjo nuk është përgjegjësi algoritmi. Është përgjegjësi institucionale.

Dështimi vazhdoi edhe pas sulmit.

Dëshmitarja që e transportoi Martinin me makinën e saj private deklaroi se askush nuk po vinte ta merrte dhe se nuk pa mësues pranë tij. Një qytetare bëri punën e shtetit. Ajo mori në makinë një fëmijë të plagosur rëndë, ndërsa ambulanca dhe policia nuk kishin mbërritur.

Më pas erdhi transportimi në spital. Martini u dërgua në Spitalin e Traumës dhe jo në QSUT, ndonëse plagosja në zemër mund të kërkonte ndërhyrje të specializuar kardiokirurgjikale.

Në atë periudhë u raportua për një urdhër administrativ, të firmosur kur Ogerta Manastirliu drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë, që orientonte urgjencat traumatike drejt Spitalit të Traumës.

Manastirliu, e cila në momentin e ngjarjes drejtonte Ministrinë e Arsimit, mbante kështu përgjegjësi të dyfishtë politike: për sistemin arsimor që nuk e mbrojti Martinin dhe për protokollet shëndetësore që u vunë në pikëpyetje pas plagosjes.

Spitali i Traumës, një institucion pa kardiokirurg dhe pa pajisjet e nevojshme për një ndërhyrje të tillë.

Por Rama nuk foli për ambulancën, urdhrin, destinacionin spitalor apo pajisjet që mungonin.

Ai foli për algoritmin.

Problemet vazhduan te Mjekësia Ligjore. Nuk u dha një ekspertizë e plotë për plagët e Luis Meçes, adoleshentit tjetër të plagosur.

Pa një raport të plotë për numrin, natyrën dhe drejtimin e plagëve, nuk mund të sqarohet plotësisht dinamika e sulmit, të mbyllen dyshimet për persona të tjerë apo të krahasohen me saktësi dëshmitë, pamjet dhe versioni zyrtar. Instituti i Mjekësisë Ligjore, nën drejtimin e Bledar Xhemalit, nuk dha transparencën e kërkuar, ndërsa Prokuroria nuk u pa të kërkonte publikisht me insistim një ekspertizë të plotë.

Që në ditët e para u ngritën dyshime mbi numrin e personave në vendngjarje, pamjet e kamerave, dëshmitarët dhe mundësinë e një autori të dytë. U raportua se kamerat kishin filmuar disa persona dhe se dëshmitarët kishin përmendur emra të tjerë.

Përpara se hetimi të përfundonte, Rama deklaroi se nuk kishte autor të dytë, sepse këtë e tregonte videoja. Kryeministri nuk ishte prokuror, ekspert kriminalistik apo gjykatës. Megjithatë, ai dha një përfundim publik mbi autorësinë.

Atëherë vendosi vetë se kush nuk ishte autor. Sot vendos vetë se kush është fajtori: algoritmi.

Në të dyja rastet, institucionet dalin nga përgjegjësia.

U ngritën gjithashtu dyshime për konflikt interesi dhe lidhje familjare e institucionale të personave të përmendur në ngjarje. Prokurorja Alma Felaj u përmend për lidhjen familjare me një deputete socialiste, ndërsa u ngritën pyetje për prindërit e një personi të përmendur në dosje, të cilët dyshohej se mbanin funksione në BKH dhe SPAK.

Këto pretendime kërkonin sqarim të plotë dhe transparent. Në vend të tij pati heshtje.

Procesi gjyqësor më pas u përball me akuza për zvarritje. Seancat u shtynë, dëshmitë e të miturve u morën me vonesë dhe familjarët denoncuan ritmin e ngadaltë.

Kur prokurorja tha se ndoshta prindërit kishin qenë në gjumë një natë para ngjarjes, babai i Luis Meçes reagoi:

 “Ju po flini gjumë me dosjen, ndërsa ne na zien zemra çdo ditë.”

Më pas u përjashtua nga salla.

Për drejtësinë, dosja është procedurë. Për familjarët, është dhimbje e përditshme dhe frikë se autorët mund të përfitojnë nga vonesat.

Kjo frikë lidhet me rastet e Aureljo Dervishit dhe Fatjon Bicit, ku të mitur të akuzuar për vrasje u liruan pas zvarritjeve dhe përfundimit të afateve procedurale.

Po ndërtohet një model i rrezikshëm: kur viktima është fëmijë dhe autori i mitur, procesi shtyhet, afatet përfundojnë, masa e sigurisë bie dhe familja mbetet pa drejtësi.

Por Rama nuk foli për zvarritjen, afatet, familjet apo rrezikun e pandëshkueshmërisë.

Ai foli për algoritmin.

Pas publikimit të videos së ngjarjes nga gazetari Eraldo Harlicaj, Prokuroria nisi hetim për rrjedhjen e pamjeve. Në vend që fokusi të ishte te përmbajtja e videos, personat e pranishëm, mangësitë e hetimit dhe vonesat, vëmendja u zhvendos te gazetari që e publikoi.

Anila Hoxha ngriti shqetësimin se Prokuroria po hetonte atë që nxori materialin dhe jo atë që kishte detyrë ta ruante. Media kishte shërbyer si valvul sigurie për familjen, duke mos lejuar që çështja të harrohej.

Kjo është media që Rama sot e quan “gazetari e gjakut”.

Por mediat nuk shpikën kërcënimet e injoruara, mungesën e mësuesve, vonesën e ambulancës, transportin me makinë private, pyetjet për spitalin, mungesën e ekspertizës, shtyrjen e seancave apo heshtjen e ministrive.

Ato i raportuan.

Të kërkosh përgjegjësi pas vrasjes së një fëmije nuk është “gazetari gjaku”. Është gazetari.

Problemi nuk ishte se mediat raportuan shumë, por se shumë prej tyre raportuan pak dhe më pas heshtën. Nuk ndoqën gjyqin, nuk kërkuan llogari dhe nuk përmendën më emrin e viktimës.

Një pjesë e medias u bë pjesë e harresës, ndërsa ato që nuk heshtën u sulmuan nga kryeministri.

Edhe deklarata e Ramës se “sot të gjithë e kanë harruar” është përmbysje e së vërtetës.

Harresën e prodhuan institucionet që nuk folën, Ministria e Arsimit që nuk publikoi analizë, shkolla që nuk dha llogari, drejtësia që u zvarrit, qeveria që heshti dhe mediat që u tërhoqën.

Ishin familjarët dhe disa gazetarë ata që refuzuan ta linin çështjen të zhdukej.

Vetë Rama nuk kërkoi publikisht përgjegjësi nga Ministria e Arsimit, transparencë nga shkolla, shpjegime për urgjencën, transportin spitalor, ekspertizën apo zvarritjen e procesit. Por tani, gjatë promovimit të “Smart City”, emri i Martinit i shërben si argument për një projekt qeveritar.

Një tragjedi që nuk prodhoi përgjegjësi, sot prodhon propagandë.

Më herët, vrasja u përdor për të justifikuar mbylljen njëvjeçare të TikTok-ut. Sot përdoret për të justifikuar kamera, monitorim dhe inteligjencë artificiale.

Në të dyja rastet, qeveria zhvendos vëmendjen nga shteti te teknologjia.

Rrjetet sociale mund të ndikojnë te të miturit dhe të përshkallëzojnë konfliktet. Por algoritmi nuk dëgjoi kërcënimin në klasë. Nuk drejtonte shkollën. Nuk la pa mbështetje oficerët e sigurisë. Nuk fshehu incidentet. Nuk vonoi ambulancën. Nuk vendosi destinacionin spitalor. Nuk hartoi urdhrat administrativë. Nuk mungoi në Mjekësinë Ligjore. Nuk zvarriti dosjen. Nuk përjashtoi familjarin nga salla. Nuk heshti për muaj dhe nuk qeshi në Kuvend në ditë zie.

Të gjitha këto i bënë njerëz, drejtues dhe institucione konkrete.

Rama përpiqet të imponojë një zgjedhje të rreme: kush kërkon llogari po politizon tragjedinë, kush raporton bën “gazetari gjaku”, ndërsa armiku i vërtetë qenka algoritmi.

Pas vrasjes së Martin Canit nuk u bë publik një raport i pavarur kombëtar, një analizë e paralajmërimeve, një audit i sigurisë, një rishikim i rolit të oficerëve, një shpjegim për urgjencën, një analizë e transportit spitalor apo një bilanc përgjegjësish.

Nuk pati dorëheqje. Nuk pati përgjegjësi politike apo administrative.

Pati heshtje, shtyrje dhe më pas një fajtor të ri: algoritmin.

Rama tha se shteti nuk duhet gjykuar nga ngjarjet që ndodhin, por nga mënyra si reagon ndaj tyre.

Pikërisht sipas këtij standardi, shteti i tij ka dështuar dhe dështon sërish sot, kur sulmon mediat dhe ia lë përgjegjësinë algoritmit.

Martin Canin nuk e vrau vetëm thika e një adoleshenti. E vrau një zinxhir dështimesh shtetërore.

Shteti që nuk dëgjoi një fëmijë kur u tha se dikush do të vinte me thikë, sot pretendon se do t’i mbrojë fëmijët duke dëgjuar algoritmin.

Kjo nuk është përgjigje institucionale. Është shmangie përgjegjësie.