“Jeta jote kaq e pati”/ Denis Bajri: Ibrahim Liçi urdhëroi vrasjen time në burg

Denis Bajri alias Brajovic ka akuzuar kundërshtarin e tij, të shumëkërkuarin Ibrahim Liçi, se qëndron pas tentativës për ta vrarë brenda qelisë në burgun e Fierit.
Në dëshminë para hetuesve, Bajri ka pretenduar se Jurgen Zotaj e sulmoi me thikë artizanale me porosi të Liçit, pasi më parë i kishte dhënë një telefon për të komunikuar me të.
“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi në qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon.
Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha jeta jote kaq e pat.
Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë”, deklaroi ndër të tjera Denis Bajri.
Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto mbetën të plagosur dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka sjellë pasoja edhe për efektivët përgjegjës për sigurinë në burg. Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve vendosi përjashtimin e 8 efektivëve të policisë dhe referimin e tyre në Prokurori për shpërdorim detyre.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Burgje po heton përgjegjësinë e punonjësve që dyshohet se lejuan lëvizjen e të dënuarve dhe të paraburgosurve nga njëra godinë në tjetrën, si dhe mënyrën se si në qeli kishte përfunduar një telefon, send rreptësisht i ndaluar.
Komisioni i Disiplinës urdhëroi gjithashtu masën e izolimit për tre muaj për Aldo Gjinin dhe Jurgen Zotajn. Gjini u transferua në burgun e Drenovës, ndërsa Zoto në burgun e Burrelit.