Skip to content
Kryesore

“Je hajdute, nuk na përfaqëson”/ Kaq mjafton që policia e partisë të të marrë nga taksia në 01:30 pas denoncimit të Luarasit

· 5 min lexim

“Mos fol në emër të grave. Ti nuk i përfaqëson gratë”. “Hajdute”.

Kaq shihet dhe dëgjohet në pamjet e përplasjes verbale mes protestueses Arvina Lleshi dhe deputetes socialiste Iris Luarasi gjatë protestës së 8 shtatorit. Nuk shihet Arvina duke e goditur deputeten. Nuk shihet një sulm fizik prej saj. Shihet një protestuese që e ndjek, e kundërshton dhe i drejton akuza të forta një përfaqësueseje të pushtetit.

Disa orë më vonë, rreth orës 01:30 të natës, një taksi ndalohet dhe Arvina Lleshi merret prej saj nga policia.

Ngjarja për të cilën kërkohej kishte përfunduar prej orësh. Nuk kishte konflikt në zhvillim dhe nuk po kapej në flagrancë duke sulmuar Luarasin. Mes dy momenteve kishte ndodhur diçka tjetër: deputetja kishte deklaruar publikisht se do ta denonconte.

“Këtë rast do e denoncoj dhe do i lë drejtësisë të veprojë”, deklaroi Luarasi pas përplasjes.

Dhe policia veproi. Në mes të natës.

Pamjet e ndalimit të taksisë dokumentojnë momentin kur Lleshi merret prej saj. Ajo u dërgua në Komisariatin nr. 1, qëndroi disa orë dhe më pas u la e lirë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by @arvina.lleshi

Kjo është pikërisht arsyeja pse Policia e Shtetit duhet të shpjegojë publikisht çfarë urgjence ligjore kërkonte që një protestuese të merrej nga një taksi në orën 01:30 për një episod verbal të ndodhur shumë orë më parë.

Një denoncim nuk është urdhër arresti. As egoja e cenuar e një deputeteje nuk mund të shndërrohet në bazë ligjore për t’i hequr lirinë një qytetari.

Nëse Arvina Lleshi kishte kryer një vepër penale, Policia dhe Prokuroria duhet të thonë konkretisht cilën. Nëse bëhej fjalë për ndalim jashtë kushteve të flagrancës, duhet të sqarohet baza procedurale, kush e urdhëroi dhe cilat ishin kushtet që e bënin të domosdoshëm veprimin në mes të natës. Nëse ishte shoqërim, Policia duhet të tregojë bazën konkrete ligjore dhe arsyen pse nuk mund të pritej mëngjesi.

Sepse Kushtetuta nuk njeh një kategori të posaçme qytetarësh që mund të merren natën nga policia sepse kanë fyer një deputet.

Neni 27 përcakton qartë se askujt nuk mund t’i hiqet liria përveç rasteve dhe procedurave të parashikuara me ligj. Ndërsa liria e shprehjes mbrohet nga neni 22. Edhe fjalët që irritojnë, ofendojnë apo zemërojnë pushtetin nuk humbasin automatikisht mbrojtjen vetëm sepse politikani që i dëgjon ndihet i fyer.

Kjo nuk do të thotë se një deputet humbet të drejtën për të bërë kallëzim. Iris Luarasi kishte të drejtë t’i drejtohej institucioneve nëse mendonte se ndaj saj ishte kryer një vepër penale. Por kallëzimi i një deputeteje nuk mund ta përjashtojë policinë nga detyrimi për të respektuar ligjin dhe proporcionalitetin.

Dhe këtu historia bëhet edhe më problematike.

Pas lirimit, Lleshi deklaroi se ishte shoqëruar “në mënyrë të paligjshme” dhe “në mënyrë të dhunshme”, ndërsa tregoi shenja në trup që tha se i ishin shkaktuar gjatë ndërhyrjes.

Ndërkohë, Edi Rama zgjodhi sot pikërisht episodin e Iris Luarasit për t’iu përgjigjur Demokratëve Europianë, të cilët kishin ngritur shqetësime për ndalimet, reagimin “disproporcionalisht të ashpër” të policisë dhe ndërhyrjen e personave pa uniformë gjatë protestës.

Rama e paraqiti Luarasin si “një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave”, e cila sipas tij ishte “fyer dhe keqtrajtuar”.

Por Rama nuk tregoi të njëjtin shqetësim për mënyrën se si një qytetare që protestoi kundër qeverisë së tij u mor nga taksia në mes të natës.

Në vend që t’u përgjigjej pyetjeve për policinë, kryeministri sulmoi Demokratët Europianë si “demokratë dembelë”, i akuzoi për “politikë mendjengushtë” dhe u kërkoi ta “lënë Shqipërinë të qetë”.

Ky është i njëjti pushtet që prej muajsh përballet me një protestë që kërkon largimin e Ramës dhe që, në vend të përgjigjes politike, ka nxjerrë vazhdimisht policinë përballë qytetarëve. Protestues të tërhequr zvarrë, shoqërime, procedime, ndalime dhe “pastrim” të hapësirave ku duhet të kalojnë zyrtarët janë bërë pamje të përsëritura.

Ndërkohë Rama vazhdon të sulmojë kritikët, të përçajë dhe të sillet sikur asgjë nuk ka ndryshuar, ndërsa qeverisja vazhdon me pronat, tenderat dhe vendimmarrjen e saj, përballë një proteste që prej më shumë se 100 ditësh kërkon dorëheqjen e tij.

Rasti i Arvina Lleshit tani kërkon disa përgjigje shumë të thjeshta.

Çfarë vepre penale justifikoi marrjen e saj nga taksia në 01:30? Kush e urdhëroi? Përse ishte e domosdoshme të veprohej natën, shumë orë pas ngjarjes? Dhe mbi çfarë baze u konsiderua një përplasje verbale me një deputete aq urgjente sa policia duhej të gjente taksinë ku ndodhej protestuesja dhe ta merrte prej saj?

Sepse nëse në Shqipëri mjafton t’i thuash një deputeteje “je hajdute” dhe “nuk na përfaqëson” që disa orë më vonë policia të të marrë nga taksia në mes të natës, problemi nuk është më egoja e një politikaneje.

Problemi është një shtet ku qytetari duhet të pyesë se çfarë mund t’i ndodhë pasi guxon t’i flasë kështu pushtetit.