Skip to content
Të Gjitha

Ja çfarë qëndron pas transferimit të Xhelal Mziut nga Kamza në Dibër

· 2 min lexim

Ish-kreu i bashkisë Kamzë dërgohet nga PD si drejtues politik në Dibër, ndërsa në heshtje kjo zonë në periferi të Tiranës i jepet LSI-së.

Në këtë bashki, PD-ja ka elektorat të sigurtë dhe po ia jep LSI-së së Ilir Metës për shkak të rëndësisë që i jep aleancës me këtë parti.

Në prezantimin që Monika Kryemadhi u bëri kandidatëve për qarkun Tiranë, ish-deputeti Përparim Spahiu, që është edhe kreu i LSI-së së Tiranës, është caktuar si përgjegjës për njësinë 11, edhe për Kamzën. Spahiu është nga Peshkopia dhe ka dalë si figurë politike në degën e LSI-së së Dibrës.

Në krah të Spahiut, është edhe një ish-drejtor i PD-së, shumë i rëndësishëm e i fuqishëm në qeverisjen e Berishës nga 2005-2013, Besnik Jakaj, por prej 8 vjetësh i anëtarësuar me LSI-në.

Jakaj, me origjinë nga Puka, i cili ka qenë superdrejtori i Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë.

Kështu, Lulzim Basha i ka dhënë Xhelal Mziut një mandat të sigurtë deputeti si kreu i listës së Dibrës, por si shkëmbim të lejojë që Kamza të kalojë tek LSI-ja.

Partia e drejtuar nga Kryemadhi po përplaset me PS-në në qytetin e Tiranës dhe do ta ketë të vështirë të marrë mandate përveç se në Kamëz.

Meta para disa muajsh, u shfaq në kërcim dhe këngë patriotike në lokalet e Paskuqanit dhe të Bathores, në shoqërinë edhe të kreut të LSI-së, Përparim Spahiu.

Po ashtu, Meta ka shpërndarë dekorata persona të ndryshëm të zonave Dibrës.

Edhe në vitin 2017, LSI mori në Kamëz e Laprakë dy deputetë, duke ja hequr votat PD-së, e kjo me urdhrin e Berishës. /Gazetareforma.com/