Skip to content
Kryesore

GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për mbylljen e dosjes së sterilizimit

· 3 min lexim

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për pushimin e çështjes së koncesionit të sterilizimit, duke refuzuar edhe pjesën më të madhe të pretendimeve të tij procedurale.

Në seancën e zhvilluar më 10 nëntor 2026, trupa gjykuese shqyrtoi 22 kërkesa të paraqitura nga Beqaj, mes të cilave kërkesën për pushimin e çështjes dhe pretendimet për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e akteve të administruara në proces.

Gjykata vendosi të mos pranojë shumicën e kërkesave, ndërsa për disa prej tyre do të shprehet në një moment të mëvonshëm.

Dosja e sterilizimit dhe akuzat ndaj ish-ministrit

Ilir Beqaj është i pandehur në lidhje me koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale, një prej çështjeve të hetuara nga SPAK për procedurat e dhënies së kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë.

Hetimet lidhen me procedurat e dhënies së koncesionit për shërbimet e sterilizimit, furnizimin me materiale mjekësore sterile, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale, gjatë periudhës kur Beqaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe tetë persona të tjerë, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj, përfitues i koncesionit, si dhe gjashtë ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, anëtarë të komisionit të koncesionit.

Në seancat e mëparshme, Beqaj kishte kërkuar gjithashtu përjashtimin e provave digjitale, duke kundërshtuar mënyrën e ekspertimit të tyre. Më 17 korrik 2026, SPAK kërkoi rrëzimin e 23 kërkesave të tij, me argumentin se pretendimet ishin të pabazuara në ligj ose ishin trajtuar më parë gjatë procedimit.

Nga sterilizimi te fondet e SASPAC, dosja tjetër e Beqajt

Përveç çështjes së sterilizimit, ish-ministri përballet edhe me një tjetër procedim penal, që lidhet me administrimin e fondeve të Bashkimit Europian përmes Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 në kuadër të këtij hetimi, ku SPAK ngriti dyshime për parregullsi në procedurat e prokurimit dhe administrimin e fondeve.

Hetimet përfshinë dyshime për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh dhe deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë. Në fokus të verifikimeve u vendosën edhe lidhjet e dyshuara të ish-ministrit me restorantin “Gzona” dhe pasuri të tjera.

Më 31 korrik 2026, Beqaj doli nga paraburgimi pas përfundimit të afateve ligjore dhe ndaj tij u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për dosjen SASPAC.

Sterilizimi edhe pas koncesionit, pikëpyetjet mbi kontratat e reja

Çështja e sterilizimit ka vijuar të ngrejë pikëpyetje edhe pas përfundimit të koncesionit.

Në gusht 2026, Gazeta Reforma trajtoi një kontratë me vlerë rreth 1.7 milionë euro, të dhënë pa konkurrim nga OSHIS kompanisë GAMASERVICE, në pronësi të Artan Lleshit, ish-drejtues në Sani Service.

Raportimi ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e dhënies së kontratës dhe vazhdimësinë e lidhjeve ekonomike në sektorin e sterilizimit, edhe pas përfundimit të koncesionit të mëparshëm.

Ndërkohë, me vendimin e 10 nëntorit, GJKKO nuk pranoi kërkesën e Beqajt për pushimin e çështjes së sterilizimit. Procesi gjyqësor vijon, ndërsa përgjegjësia penale e ish-ministrit dhe e të pandehurve të tjerë mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata.