“Iu përulem nënave që sjellin fëmijët në protestë, po u mëkojnë lirinë!”, fjalimi prekës i mjekut Ermal Pashaj: Do vijë dita që sheshi s’do të zbrazet

Mjeku Ermal Pashaj ka mbajtur një fjalim para protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë, ku ka deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të qytetarëve. Ai u shpreh se, pavarësisht mendimeve se protesta e ka përmbushur misionin e saj, qytetarët nuk duhet të tërhiqen.
Në fjalën e tij, Pashaj kritikoi institucionet, duke thënë se ato nuk respektojnë dinjitetin e qytetarëve dhe se protesta është mënyra për të kërkuar ndryshim dhe për të mos u dorëzuar përballë pushtetit. Ai theksoi se protestuesit duhet të vazhdojnë qëndresën e tyre dhe paralajmëroi se do të vijë dita kur qytetarët do të qëndrojnë në shesh pa u larguar.
Në përfundim të fjalimit, mjeku iu drejtua veçanërisht nënave që marrin pjesë në protestë së bashku me fëmijët e tyre, duke i falënderuar për shembullin që, sipas tij, po u japin brezave të rinj.
“59 ditë protestë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Nuk mposhtet shqiptari! Ka mes nesh që gjykojnë se kjo e arriti qëllimin. Por unë ju them se ku mbaron durimi, duhet të fillojë vetëkafshimi. Njerëzit nuk duhet të lëshojnë. Nuk ka asnjë institucion që respekton dinjitetin e popullit. Nuk po kërkon shqiptari asgjë tjetër veç se të përfillet dinjiteti i tij. Çfarë marrim? Marrim ato përgjigje që tregojnë se ky regjim po i afrohet fundit. Ka nga ata që bëhen edhe më të fortë, sepse është më kollaj kështu. Por mos harroni se legjitimiteti i këtij të forti vjen për shkak të djersës që kemi derdhur. Ne e kemi në dorë të qëndrojmë këtu dhe të mos lejojmë që të na mposhtin. Siguria kombëtare cenohet çdo ditë. Të gjitha këto janë thënë e stërthënë. Nuk duhet të mposhtemi për sa kohë që nuk na dëgjojnë, por duan ta përdhosin këtë protestë. Ai nuk ngopet. Ku ka rrjedhur do të pikojë dhe ky popull do të mbijetojë. Ka dalë mbanë në situata më të këqija se këto. Do të ketë njerëz ditë e natë derisa të realizohen kërkesat e tyre. Atyre nënave me fëmijë dua t’u përulem sa të kem jetë. Po u mëkojnë fëmijëve lirinë! Rroftë Shqipëria e lirë.”