Skip to content
Aktualitet

Ish-drejtori i policisë së Vlorës u vetëdorëzua, sot gjykata merr vendimin për Jaeld Çelën

· 2 min lexim

Para disa ditësh u njoftua në media se ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Ai ishte shpallur në kërkim prej nëntorit të vitit 2017-të.

Jaeld Çela u shpall në arrati me dy zyrtarë të tjerë të policisë, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode. Prokuroria i akuzoi asokohe si bashkëpunëtorë të grupit të Habiljave që trafikonin tonelata me kanabis drejt Italisë.

Çela u dënua në mungesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për shpërdorim detyre.

Dënimi që ai ka marrë në mungesë për akuzën “shpërdorim detyre” është 3.4 vite burg.

Ish-drejtori i policisë është akuzuar për veprat penale “trafikim të lëndëve narkotike” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.

Mësohet se dy akuzat e fundit u hodhën poshtë nga gjykata dhe ai është dënuar vetëm për “shpërdorim detyre”.

Mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Posaçme kanë mbërritur avokatët e Jaeld Çelës, Petrit Isamili dhe Gentan Rumano.

Çelës do t’i bëhet verifikimi i kushteve të masës së sigurisë nga apeli i Gjykatës se Posaçme.

Para se të dorëzohej tek ish-kolegët e tij të Tiranës, ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela kishte përgatitur një letër publike, në të cilën mohoi akuzat e prokurorisë.

Në letër ai shpjegon se përse zgjodhi jetën e arratisë, në vend që të shkonte në paraburgim, ku e prisnin njerëz të krimit, ndërsa thekson edhe njëherë pafajësinë.