Koronavirusi duket se nuk do të kursejë asnjë institucion shtetëror publik në vend, pasi së fundmi ka arritur të depërtojë edhe në Bibliotekën Kombëtare, ku janë identifikuar tre raste të prekura nga Covid-19.
Prej ditësh, tre personat në fjalë kishin simptoma dhe vetëm sot kanë marrë përgjigjen e tamponit, që ka rezultuar pozitiv, raporton Abc News. Mësohet se rasti i parë i infektuar ka qenë një punonjëse e Bibliotekës së Vjetër e cila ndodhet pranë “Lulishte 1 Maji” në Tiranë. Sakaq, punonjësja me koronavirus ka infektuar edhe 2 koleget e saj.
Nuk dihet ende nëse këto tre infektime, do të sjellin mbylljen e Bibliotekës Kombëtare.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, u shënuan 2 viktima dhe 117 raste nga Covid-19, teksa ka shtim të pacientëve të shtruar, ku aktualisht janë 85 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.