Ditën e djeshme u bë me dije se për herë të parë që nga nisja e epidemisë në vendin tonë është infektuar një foshnjë 2-muajshe. Mësohet se ai është infektuar nga nëna e tij dhe më pas janë shtruar të dy në spital. Deri më tani gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.
Shefja e shërbimit të Pediatrisë në QSUT, Xhorxhina Kule ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e një foshnjes. Në fjalën e saj për mediat, Kule u shpreh se ky ishte rasti i parë në vend që një i mitur shtrohej në spital.
Ndër të tjera, Kule ka treguar se fëmija ka shkuar në spital me shenja të sëmundjes dhe bronkopneumoni pa insuficencë respiratorë por që tani si foshnja, si nëna e tij janë në gjendje të stabilizuar.
“Nga komunikimet e mëparshme që kemi pasur me infkesionet tek fëmijët gjithnjë ju kemi vënë në dijeni për numrin e fëmijëve, të cilët kanë rezultuar pozitiv. Por deri mbrëmjen e pardjeshme nuk kemi pasur asnjë fëmijë të hospitalizuar. Parmbrëmë është shtruar një fëmijë i moshës 2-muajsh, me shenja të sëmundjes dhe një bronkopneumoni pa insuficencë respiratore. Në ndjekjen që kemi bërë, ka rezultuar edhe e ëma pozitive, madje dhe nëna ka shenja të sëmundjes. Të dy janë të hospitalizuar tek ne pasi fëmija është me gji dhe të dy palët janë në trajtim. Që mbrëmë të dy nuk kanë referuar shenja të larta të temperaturës. Është nën kontroll. Jemi në pritje të ecurisë me shpresë që çdo gjë do përfundojë mirë”, deklaroi Kule.