Skip to content
Politikë

Ilirjan Celibashi zbulon datën që i propozoi Begajt për zgjedhjet e 2025

· 1 min lexim

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, përfundoi një takim konsultativ me presidentin Bajram Begaj në lidhje me caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pas takimit, gjatë një deklarate për mediat para Presidencës, Celibashi njoftoi se i ka propozuar presidentit datën 11 maj të vitit të ardhshëm, si ditën më të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

“Për KQZ-në data optimale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është data 11 maj 2025”, tha Celibashi.

 

“Ne si institucion përgjegjës për përgatitjen e zgjedhjeve shohim datën 11, edhe pse kuptova që paska goxha diskutime për datat e mundshme, si datën e cila i krijon KQZ-së mundësinë për të përgatitur procesin e votimit nga jashtë në përputhje me të gjitha parashikimet. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me votimin nga jashtë ku u bënë mjaft vonë, në të njëjtën kohë kur ngeli diskutimi në KQZ për të përgatitur nga pikëpamja rregullatore këtë proces, natyrisht që na shtyn të nxisim Presidentin e Republikës të jetë data më e përshtatshme. Ajo që ne konsiderojmë është thjesht dhe vetëm mundësia dhe koha që duhet në dispozicion për organizimin e zgjedhjeve”, tha Celibashi.