Skip to content
Kryesore

“Ikin pa kthim”, 900 shqiptarë hoqën dorë nga shtetësia vetëm vitin e fundit

· 2 min lexim

Shqiptarët nuk po largohen më vetëm nga vendi, por një pjesë po heqin dorë edhe nga shtetësia. Afro 900 qytetarë hoqën dorë nga shtetësia shqiptare gjatë vitit të kaluar, 52 më shumë se në vitin 2024, ose një rritje prej 6.1%.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se fenomeni nuk është i izoluar. Në 10 vitet e fundit, mbi 6,600 shqiptarë kanë hequr dorë nga pasaporta e vendit të lindjes, kryesisht për të marrë shtetësinë e vendeve ku kanë ndërtuar jetën e tyre.

“Pjesa më e madhe që i shtynë janë 3 indikatorë një punë më e mirë arsim më i mirë shëndetësi më e mirë. Nuk përfitojnë nga shumë përparësi që shtetet japin. Nëse e marrin atë janë shtetas europian dhe përfitojnë së pari lëvizjen e lirë, ndryshimin e vendbanimit”, deklaron sociologu Gëzim Tushi.

Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të moshës së atyre që largohen. Sipas INSTAT, rreth 52% e personave që largohen nga Shqipëria janë të rinj të grupmoshës 15-35 vjeç, duke ndikuar drejtpërdrejt te fuqia punëtore dhe struktura demografike e vendit.

“Përveç tkurrjes ekonomike, forca e madhe e punës largohet, nga na tjetër ne perceptojmë një tkurrje demografike, plakje më e shpejtë e popullsisë sonë”, thotë Tushi.

Përmasat e emigrimit afatgjatë reflektohen edhe në të dhënat e EUROSTAT: më shumë se 521 mijë shqiptarë kanë marrë gjatë 20 viteve të fundit shtetësinë e një prej vendeve të Bashkimit Europian.

Puna, arsimi, shëndetësia dhe të drejtat që sjell një pasaportë europiane po bëhen kështu faktorë vendimtarë për mijëra shqiptarë që zgjedhin ta lidhin përfundimisht të ardhmen e tyre me një shtet tjetër.