Ditën e sotme kreu i PD Sali Berisha ka publikuar në një postim në rrjete sociale, foto të 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili vdiq pasi u shoqërua në komisariat.
Në foto duket 32-vjeçari, i shtrirë në shtratin e spitalit të Traumës.Ajo që bie në sy në foto është se të riut nuk i janë hequr prangat ndërsa Berisha thekson se hematomat që i riu mban në trup, janë shkaktuar nga goditjet e efektivëve.
‘Xhelatët që i morën jetën edhe të vdekur e mbajtën të lidhur me hekura Learin! Në foto duken dhe hematomat nga goditjet!‘- shkruan Berisha përkrah fotos.
32-vjeçari u ndalua në orën 23:07 të mbrëmjes së 19 tetorit nga efektivët, në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por ka vrapuar. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekje, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore. Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre. Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.