Skip to content
Të Gjitha

I shëruari i parë në Shqipëri nga koronavirusi, edhe testi i dytë rezultoi negativ

· 1 min lexim

Kontakti i parë i pacientit zero në Shqipëri është shëruar plotësisht.

Edhe testi i dytë për 54-vjeçarin V.K rezultoi negativ, shkruan “Dosja.al”.

Pacienti i shëruar është babai i 28-vjeçarit P.K., i cili u fut në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Hanit të Hotit më 26 shkurt.

I riu kthehej nga Firence, ndërsa ishte me origjinë nga Puka dhe banonte në Tiranë.

Përveç babait ai infektoi edhe disa të afërm të tij, të cilët u shtruan në godinën e Infektivit në QSUT.

Ndërkohë lajmin për testin e parë që rezultoi negativ, e dha kryeministri Edi Rama mbrëmjen djeshme.

Bilanci i COVID-19 në vendin tonë tashmë është 59 të prekur, nga të cilët 2 viktima dhe 1 i shëruar.

Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Me urdhër të kryeministrit Edi Rama është kufizuar qarkullimi i makinave dhe i këmbësorëve.

Gjithashtu ka nisur aplikimi i gjobave për ata që nuk respektojnë rregullat e vetëkarantinimit, kompanitë që nuk marrin masat ndaj koronavirusit dhe tregtarët që rrisin çmimet në mënyrë abuzive.