Skip to content
Të Gjitha

I riu humbet kontrollin e makinës: Përplaset me një automjet dhe plagos rëndë policin

· 2 min lexim

Pasditen e sotme një aksident i rëndë është shënuar në afërsi të Vorës, pasi mësohet se një 20-vjeçar ka humbur kontrollin e automjetit, duke përplasur një efektiv policie, që po ushtronte kontrolle te një makinë që ka qenë e ndaluar në anë të rrugës.

Sipas një njoftimi për shtyp nga policia,  bëhet me dije se makina drejtohej nga 20-vjeçari me iniciale M.B., dhe efektivi ka marrë plagë të shumta dhe është dërguar menjëherë në spital.

Nga ana tjetër, drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksident është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore.

Sakaq, grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i plotë

“Më datë 04.05.2020, rreth orës 13:00, në rrugën interurbane kryesore Durrës-Tiranë, në hyrje të Vorës, automjeti i drejtuar nga shtetasi me iniciale M. B ., 20 vjeç, ka humbur kontrollin si rezultat i shpejtësisë dhe për pasojë ka goditur automjetin e ndaluar jashtë rruge tip BMX X5, si dhe punonjësin e Policisë Rrugore me iniciale R. Q., i cili në momentin e përplasjes po kryente verifikimet dhe veprimet policore ndaj drejtuesit të automjetit tip BMX X5 në krahun e shoferit të këtij mjeti, i cili ishte konstatuar duke qarkulluar pa vendosur targat në vendin e caktuar. Punonjësi i Policisë është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Të dy drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, shkruan Policia.