Skip to content
Kryesore

I iku policisë gjatë aksionit antidrogë në Lezhë, kapet i riu në Tiranë

· 1 min lexim

Një 36-vjeçar nga Lezha, i shpallur në kërkim për përfshirje në një grup kriminal që merrej me trafik droge, është arrestuar nga policia në Tiranë.

Ai u kap teksa udhëtonte me një taksi, si pjesë e operacionit të koduar “Vakumi”, që vijon prej disa ditësh për të goditur veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve.

Sipas autoriteteve, 36-vjeçari ishte arratisur pesë ditë më parë gjatë një operacioni në fshatin Balldre, ku në bashkëpunim me një tjetër person, tashmë i arrestuar po transportonte rreth 34 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si cannabis sativa.

Ai kishte mundur të shmangej nga ndjekja duke përfituar nga errësira dhe njohja e terrenit.

Në bazë të të dhënave nga inteligjenca informative, Policia e Lezhës dhe ajo e Komisariatit nr. 3 në Tiranë bashkëpunuan për ta lokalizuar dhe kapur. M. N., 36 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua dhe materialet ndaj tij iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.