I dënuar për vrasje në vitin 1997, ndërron jetë 52-vjeçari në burgun e Fierit

Një i dënuar ka ndërruar jetë këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier.
Viktima është 52-vjeçari Artur Doku, banues në Burrel, i cili vuante dënimin për një vrasje të kryer në vitin 1997. Sipas të dhënave, atij i kishin mbetur edhe 9 vite e 5 muaj për të vuajtur nga dënimi.
Sipas informacioneve paraprake, 52-vjeçari vuante nga probleme kardiake dhe dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mjekët konstatuan vdekjen.
Trupi i pajetë është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga të dhënat paraprake nuk rezultojnë dyshime për rrethana kriminale. Shkaku zyrtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.