I akuzuar për lidhje me atentatin në Rinas, arrestohet Ylli Zalla në Krujë

Ka marrë fund arratia e Ylli Zallës, 49-vjeçarit të shpallur në kërkim nga Policia, i cili është arrestuar në Krujë gjatë një operacioni të forcave speciale.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga momenti i arrestimit. Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Ylli Zalla ishte në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij u zbulua një arsenal armësh, në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur në Rinas.
49-vjeçari është dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Megjithatë, akuzat për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë ngjarje nuk janë vërtetuar.
Emri i Zallës është përmendur edhe më herët nga autoritetet. Rreth 12 vite më parë, ai është arrestuar për prodhim të bombave artizanale, ndërsa është përfshirë edhe në hetime për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Në atë periudhë, ai dyshohej gjithashtu për lidhje me grupin ISIS dhe për përfshirje në rekrutimin e shqiptarëve për xhihad. Po ashtu, vite më parë, Zalla kishte kërcënuar me jetë pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.
Arrestimi i tij në Krujë i jep fund periudhës disa mujore gjatë së cilës 49-vjeçari qëndronte në arrati.