Hyjnë në fuqi ndryshimet e Kodit Rrugor! Patentë përjetë e hequr për të dehurit përsëritës, ashpërsohen gjobat për celularin dhe shpejtësinë

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë hyrë në fuqi, duke sjellë masa shumë më të ashpra për shkelësit, veçanërisht për drejtuesit që përsërisin shkeljet nën efektin e alkoolit, përdorin celularin në timon apo tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.
Risia më e fortë lidhet me drejtuesit që kapen përsëri duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Nëse një shofer është ndëshkuar më parë për drejtim nën efektin e alkoolit dhe kapet sërish me mbi 0.5 g/litër alkool në gjak, leja e drejtimit do t’i hiqet përgjithmonë, pa asnjë mundësi për ta rimarrë më vonë përmes autoshkollës. Masa synon largimin nga rrugët të drejtuesve që konsiderohen më të rrezikshëm.
Ashpërsohen edhe ndëshkimet për ata që qarkullojnë pa patentë. Personat në moshë madhore që kapen duke drejtuar automjet pa leje drejtimi, përveç gjobës, nuk do të kenë të drejtë të pajisen me patentë për një vit. Ndërsa për të miturit që kapen në timon, masa është edhe më e rëndë: pasi të mbushin 18 vjeç, do të duhet të presin edhe dy vite të tjera përpara se të mund të regjistrohen në autoshkollë.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe shoferët e rinj. Gjatë dy viteve të para pas marrjes së patentës, ata nuk do të lejohen të konsumojnë asnjë sasi alkooli para se të drejtojnë automjetin. Gjithashtu, shpejtësia maksimale do të kufizohet në 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h në rrugët jashtë qendrave të banuara. Shkelja e këtyre kufizimeve dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse brenda një viti kryhen dy shkelje gjatë kësaj periudhe prove, kufizimet do të zgjasin edhe një vit, duke e çuar periudhën në tre vite.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me pezullimin e patentës. Ndryshe nga më parë, drejtuesit e pajisur me leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë më mundësi ta shmangin pezullimin duke paguar dyfishin e gjobës. Pezullimi do të zbatohet automatikisht.
Kodi i ri parashikon edhe rritje të gjobave për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pranë shkollave, për garat e paligjshme me automjete dhe manovrat agresive. Në këto raste, gjobat rriten nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë, nga 10 deri në 40 mijë lekë që ishin më parë.
Po ashtu, ashpërsohen ndëshkimet për përdorimin e celularit gjatë drejtimit. Nëse një shofer kapet dy herë brenda një viti duke përdorur celularin në timon, leja e drejtimit do t’i pezullohet për tre muaj. Më parë, pezullimi parashikohej vetëm pas shkeljes së tretë.
Ndalimi i përdorimit të celularit nuk vlen vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që lëvizin me biçikleta, motorë deri në 50 kubikë dhe monopatina.