Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Johannes Hahn pritet të vizitojë sot Kosovën, ku do të diskutohet për pikat më të nxehta të politikës, si çështja e kufijve dhe taksa për produktet serbe.
Mësohet se Hahn do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Një nga pikat e diskutimit do të jetë marrëdhënia me Serbinë dhe acarimi i tyre për shkak të taksës së vendosur nga Kosova për produktet serbe.
Vendosja e kësaj takse doganore ka shkaktuar reagime të ashpra nga mekanizmat ndërkombëtarë.
“Kosova ka arritje në agjendën europiane. Kemi një agjendë dhe ju e dini që MSA-në e kemi kthyer në ERA. ERA1 është zbatuar, ERA2 ka filluar. Komisioneri është palë për Kosovën në këtë agjendë.
Njëkohësisht, Kosova ka një agjendë me BE-në për liberalizimin e vizave, teksa ne kemi përmbushur të gjitha kushtet. Tani ka lindur edhe një temë e re, që është taksa. Taksa lidhet me njohjen nga Serbia, jo me këto dy të parat. Ndaj mirëpresim çdo sugjerim, çdo këshillë, edhe mundësinë për të biseduar me komisionerin Hahn”, tha Haradinaj.
Serbia, e cila para vendosjes së kësaj takse eksportonte mallra në Kosovë në vlerë mbi 1 milion euro në ditë, ka kërkuar heqjen e taksës, si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.