Grida Duma bën deklaratën e fortë: Në Rrogozhinë ka tri banda, s’ka nevojë ta dinë gjithë shqiptarët

Grida Duma ka treguar detaje të pazbuluar më parë për procesinn zgjedhor në Rrogozhinë, ku një person me ‘badge’ false të KQZ-së është futur në qendrën e votimit. Duma tha në emisionin “Open” se një person me emrin Ervis, kishte shkuar në qendrën e votimit dhe kishte kërkuar vazhdimin e procesit zgjedhor, që ishte ndalur për shkak të shkeljeve të konstatuara. Kandidatja e PD tregoi se ky person e kishte mbajtur vendin me forcë derisa ka shkuar shefi i komisariatit.
“Në Rrogozhinë kam qenë unë. Aty janë tri banda, i njohin ata të Rrogozhinës, s’ka nevojë ta dinë të gjithë shqiptarët. Më lajmëruan se kishte problematika. Më 25 prill komisionerët më morën dhe thonë ka ardhur ish-kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës dhe djali i tij dhe na shajnë dhe na kërcënojnë se nuk po lejojmë votën familjare. Njoftova KQZ-në dhe u ndërpre votimi. U ndalua procesi. Pastaj njëri nga këta, si me muskuj, kishte shkuar si përfaqësues i KQZ-së dhe me ‘badge’ u kishte thënë komisionerëve të vazhdonin punën. Më lajmëruan sërish. Më thanë që ka shkuar njëri dhe u thotë të punojnë. Ma kalo në telefon u thashë. Ma kaloi. I thashë kush je ti zotëri, nuk më tha emër, u nisa për Rrogozhinë. Mora KQZ-në dhe me badge-n e tij kërkova verifikimin. Rezultoi që ky me emrin Ervis a diçka e tillë ishte futur aty me badge false, nuk kishte lidhje me KQZ-në. Çfarë s’kemi bërë atë ditë. E kemi mbajtur vendin me forcë deri sa të vinte shefi i komisariatit që tha se ishte në një vdekje në Tiranë. Më është dukur vetja si forca militare. Bëmë kallëzimin dhe në fund e transferuan nga SPAK tek prokuroria e Kavajës sepse nuk konsiderohej krim elektoral,”- tha Duma.