Skip to content
Të Gjitha

Grabitja e Rinasit, Sandër Lleshaj: “Të tjera arrestime priten, çështja është në hetim”

· 2 min lexim

Në një komunikatë për mediat ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj ka paralajmëruar arrestime të tjera në lidhje me supergrabitjen e ndodhur brenda në aeroportin e Rinasit më 9 prill.

Nga Kukësi, në kuadër të një nisme “Ministri një ditë në qark”, Lleshaj foli për punën e bërë në zbardhjen e ngjarjes që ka çuar deri më tani në pranga 5 persona dhe kanë identifikuar e shpallur në kërkim thuajse të gjithë personat e përfshirë, nga organizatorët tek bashkëpunëtorët.

“Kjo çështje është ende nën hetim. Megjithëse ka ecur shumë, unë nuk mund të ekspozoj detaje të shumta. Unë them se grupi tashmë i shkatërruar ka një arkiv të pasur të aktiviteteve  negative kriminale jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Procedurat e hetimit vazhdojnë në funksion të zbardhjes dhe kapjes së autorëve. Do të ketë arrestime të tjera. Disa nga krerët e grupit janë arrestuar por ka edhe të tjerë.” – tha ministri.

I pyetur lidhur me protestat e opozitës që tashmë i janë rikthyer bllokimit të rrugëve, Lleshaj tha se është një degradim politik.

“Është e drejta e të gjithëve për të protestuar. Por bllokimi i rrugëve është degradim politik në të gjitha aspektet. Nuk është bllokimi i rrugëve zgjidhje politike. Nuk mund ta mbysësh qeverinë duke bllokuar rrugët, qeverinë e mbyt duke fituar zgjedhjet. Duke bllokuar rrugët mbyten qytetarët. I bëj thirrje opozitës nga Hasi, të kthjellohen e ti thërrasin arsyes dhe të kthehen në rrugët normale të politikës.” – tha ministri Sandër Lleshaj.