Skip to content
Kryesore

Grabiti 120 mijë euro nga dy banka në Tiranë, Robert Duka: Paratë i lashë në kazino

· 4 min lexim

Robert alias Albert Duka, i arrestuar si autor i dyshuar i grabitjeve të dy bankave në Tiranë, ku u morën rreth 120 mijë euro, ka pretenduar para hetuesve se pjesën më të madhe të parave i ka shpenzuar në kazino. Ndërkohë, policia ka sekuestruar 6 mijë euro që ai ua kishte dhënë dy miqve në Vlorë, ndërsa në banesën e tij janë gjetur vetëm 2 200 euro.

Identifikimi dhe arrestimi i Dukës u bë i mundur përmes përgjimeve telefonike, analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe verifikimit të automjetit të marrë me qira, të cilin dyshohet se e përdori për t’u larguar pas grabitjeve.

Gjatë komunikimit me punonjësit e policisë dhe prokurorin e çështjes, Duka ka pretenduar se paratë e grabitura më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, në filialet e “OTP Bank” dhe “Raiffeisen Bank”, i kishte humbur duke luajtur në disa kazino të kryeqytetit.

Megjithatë, ky pretendim nuk është përfshirë në një deklarim zyrtar me procesverbal. Duka nuk ka dhënë dëshmi të tillë, pasi avokati i tij mbrojtës nuk e ka lejuar marrjen e deklarimit.

Për të verifikuar versionin e tij, policia dhe prokuroria u kanë kërkuar informacion katër kazinove të njohura në Tiranë. Hetuesit kërkojnë të konfirmojnë nëse Duka ka qenë klient i regjistruar dhe, në rast se po, të sigurojnë dokumentacionin përkatës dhe pamjet filmike.

6 mijë euro për dy miqtë në Vlorë, vetëm 2 200 euro në banesë

Hetimet kanë zbuluar se Duka u kishte dhënë dy miqve të tij në Vlorë nga 3 mijë euro secilit. Gjatë marrjes në pyetje, të dy personat kanë deklaruar se paratë ua kishte dorëzuar për të shlyer borxhet që kishte ndaj tyre.

Shuma prej 6 mijë eurosh është sekuestruar pas kontrolleve të kryera nga efektivët e Tiranës në Vlorë. Ndërkohë, kontrolli në banesën e të dyshuarit ka çuar në gjetjen e vetëm 2 200 eurove.

Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e Dukës, e cila punon në një bankë të nivelit të dytë në kryeqytet.

Ajo ka deklaruar se shumën prej 120 mijë eurosh e kishin siguruar nga shitja e një apartamenti pranë stadiumit “Air Albania”. Gjithashtu, ka pohuar se nuk kishte dijeni për përfshirjen e bashkëshortit në grabitjet e bankave.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje, bashkëshortja është lënë e lirë.

Dy grabitje në datën 2, e njëjta skemë largimi

Sipas hetuesve, dy grabitjet kanë ngjashmëri të konsiderueshme, si në mënyrën e realizimit, ashtu edhe në largimin e autorit. Të dyja kanë ndodhur në datën 2 të muajve përkatës.

Më 2 qershor 2026, Duka dyshohet se hyri i maskuar në filialin e “OTP Bank”, ku mori një shumë parash nën kërcënimin e armës. Më pas u largua nga zona me një monopatinë elektrike.

Pesë muaj më vonë, më 2 nëntor, një person me të njëjtën siluetë u shfaq në filialin e “Raiffeisen Bank”. I maskuar dhe duke mbajtur një objekt që ngjante me pistoletë, autori kërcënoi punonjësit dhe mori para nga arka.

Edhe këtë herë u përdor një monopatinë elektrike për largimin fillestar. Pas përshkimit të një distance, autori dyshohet se e futi monopatinën në një automjet të marrë me qira dhe vazhdoi largimin me makinë, duke shmangur kontrollet policore.

Dyshime për bashkëpunëtorë dhe 26 grabitje të tjera në Greqi

Policia dhe Prokuroria e Tiranës po hetojnë nëse Duka ka vepruar i vetëm apo ka pasur persona të tjerë që e kanë ndihmuar.

Dyshimet janë përqendruar veçanërisht te grabitja e “OTP Bank”, më 2 qershor, pasi hetuesit dyshojnë se një person i dytë mund ta ketë larguar autorin me automjet.

Ndërkohë, rezulton se Duka ka qëndruar më herët në Greqi, ku dyshohet se është përfshirë në 26 grabitje bankash me armë.

Robert alias Albert Duka është arrestuar për veprën penale të grabitjes me armë të bankave, për të cilën parashikohet dënim nga 10 deri në 20 vite burg.

Ai pritet të dalë më 11 nëntor përpara Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa hetimet vijojnë për gjurmimin e parave të grabitura dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.