Skip to content
Të Gjitha

Gjyqtari që i kishte ulur dënimin Dritan Dajtit reagon pas shkarkimit: Nuk mund të flasësh me maskarenjtë

· 3 min lexim

TIRANË

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Aleks Nikolli u shkarkua nga detyra nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK tha ndër të tjera se Nikolli i kishte ulur dënimin Dritan Dajtit, vrasësit të dyshuar të 4 policëve.

Nikolli me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka zgjedhur që të flasë me poezinë e nobelistit britanik Kipling.

Nikolli, edhe pas vendimit që u mor për përjashtimin nga drejtësia, nuk foli as për mediat.

Postimi i plotë i gjyqtarit të shkarkuar Aleks Nikolli:

Në respekt të raporteve sociale që kemi ngritur dhe të kureshtjes pozitive dhe negative të ngritur ndaj gjendjes time të sotme, më lejoni që të komunikoj me ju përmes fjalëve të shumëdëgjuara, por të pavdekshme të nobelistit britanik Rudyard Kipling!

Në mundesh të ruash arsyen

Kur bota e humbet fillin

E fajin ta hedhin, e vetes t’i besosh

Sa here për ty dyshojnë, e s’të përfillin

Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

Në mundesh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur

E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh

Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur

Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim

Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh

E të trajtosh njëlloj e pa dallim

Ngadhënjim e shpartallim, burim mashtrimesh.

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta

Në kurthe për trutharët, kopukët do t’i kthejnë,

Të thyejnë gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh

Me vegla pune që nuk vlejnë!

Në mundesh, fitoret qe ke korrur, t’i flijosh

Si në kumar, në një të vetme lojë

Të rrezikosh, të humbësh, e prapë te fillosh

Dhe humbjet kurrë të mos i zësh me gojë!

Në i detyrofsh dot muskul, nerv, dhe puls e zemër

Të të shërbejnë edhe kur gjithçka të duket e kotë

E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit,

Që veç një fjalë, ‘qëndro’ gjithnjë të thotë.

Në mundesh të flasësh me maskarenjtë

Por nderin tënd ta ruash

E të ecësh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon

Nëse armiku ose miku s’të bëjnë dot të vuash

Dhe gjithçka në e çmon, përveç sa e meriton.

Në mundesh të mbushësh ti minutat,

Aq të rënda, me vepra që peshojnë,

Dije, dhe mos ki asnjë dyshim

E jotja do jetë bota me ç’ka brenda

Dhe burrë do jesh, o biri im….