Gjyqtari i Apelit të Tiranës Alaudin Malaj ka paditur në SPAK Suela Zhegun, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), shkalla e parë e vettingut, për falsifikim formularësh.
Malaj është në proces hetimi nga vettingu dhe ky hetim po kryehet pikërisht nga një trup anëtarësh të KPK me në përbërje dhe Suela Zhegun.
Zhegu është kallëzuar për veprën penale të “Falsifikimit të formularëve”, të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Për këtë arsye është kërkuar nga kallëzuesi pezullimi i ushtrimit të detyrës së Komisioneres të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri në përfundim të hetimeve.
Gjithashtu, gjyqtari i Apelit të Tiranës i kërkon Strukturës së Posaçme kundër korrupupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) të hetojë Suela Zhegun pasi kjo e fundit është paditur nga të afërmit e saj për mashtrim dhe përvetësim të pasurive që nuk i përkasin asaj. Për këtë, Mala thotë se në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar dhe një hetim penal.
Sipas gjyqtarit Alaudin Malaj, edhe bashkëshorti i anëtares së vettingut është hetuar dhe dënuar disa herë, mes tyre dhe ndalime për “Mosbindje të urdhrit ndaj punonjësit të Policisë”, për të cilat kanë nisur hetime në Tiranë dhe Durrës.