Skip to content
Aktualitet

Gjyqi ndaj Shullazit, shtyhet për të disatën herë seanca

· 1 min lexim

Mosplotësimi i trupës gjykuese u bë shkak për një tjetër seancë të dështuar të gjyqit ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit në Apelin e Krimeve të Rënda.

E ndërsa vetëm para disa ditësh katër anëtarët e grupit të Shullazit u ankuan për të dytën herë për gjyqtaren Saida Dollani, ku kërkuan edhe përjashtimin e saj nga gjykimi.

Të pandehurit Emiliano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani dhe Endrit Zela, i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare ONM-së dhe KPK-së ku janë shprehur se kanë humbur besimin se gjyqtarja Dollani do të tregohet e paanshme me ta.

Trupa ka mbetur me dy anëtarë pasi në 15.6.2019 është pranuar kërkesa e Shullazit për përjashtimin nga gjykimi të gjyqtares Saida Dollani. Apeli ka vënë në dijeni Këshillin e Lartë Gjyqësor  dhe i ka kërkuar delegimin e një gjyqtari, por deri sot nuk ka asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër, i pandehuri Gilmando Dani i kërkoi gjyqtares Albana Boksi të dorëhiqet nga çështja, pasi sipas tij është në konflikt interesi. Seanca u shty për në 25 qershor.