Gjykata lë në burg Vladimir Gjutën, ja çfarë deklaroi avokati i tij pas seancës

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg, Vladimir Gjutën, i cili u arrestua pak ditë më parë pranë selisë së PS, i armatosur dhe me një shumë mbi 100 mijë euro.

Mbi të rëndojnë veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Avokati i Gjutës deklaroi pas seancës, se klienti i tij do t’i thyente paratë në një pikë këmbimi valutor dhe do t’i përdorte për biznesin e tij.

Përfaqësuesi ligjor shtoi më tej, se paratë janë siguruar nga një biznes në Angli.

“Ka mbrojtur pasurinë e vet, kështu e ka menduar ai. Me paratë ai pretendoi se paratë janë të ligjshme dhe i ka siguruar nga biznesi në Angli së bashku me familjarët. I duheshin për të krijuar një biznes, tregti me mallra amerikane. prokuroria kërkoi arrest me burg vetëm për paratë e gjetura. Paratë do i thyente për biznesin e tij”, deklaroi avokati.

Më 10 shkurt Vladimir Gjuta u ndalua nga Garda e Republikës pranë selisë së PS në Tiranë. Me vete ai kishte një pistoletë të mbushur me 22 fishekë brenda, si dhe një shumë parash mbi 100 mijë euro.

Gjuta bëri disa xhiro në trotuarin pranë selisë së PS, në kohën kur brenda ndodhej kryeministri Edi Rama dhe grupi socialist.

Një ditë më pas Policia e Tiranës nisi hetimin pasuror ndaj Gjutës, ku sekuestroi mijëra dollarë, një “Audi A8” të blinduar, armë zjarri dhe municione.

“Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.
Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.
Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas.
Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur hetimi pasuror për shtetasin V. Gj.
Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale ‘Armëmbajtja pa leje’, ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’”, thuhej në njoftimin e policisë.

Shpërndaje
Share.

Komento