Skip to content
Të Gjitha

GJKKO jep vendimin për dosjen 339/3, nipi i ish-deputetit të PS-së dënohet me 9.4 vite burg

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar gjykimin e Dosjes 339/3, ku në përfundim të gjykimit ka deklaruar fajtorë të pandehurit për kryerjen e veprës penale të “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 283/2  i Kodit Penal.

Megjithatë Gjykata e Posaçme ka rrëzuar akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe vepra të kryer nga grupi i strukturuar, akuza këto të parashikuara nga Neni 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar më herët të pandehurve do t’u ulet një e treta e dënimit.

Dosja 339 është pjesë e hetimeve që tronditën situatën politike ku mes të përgjuarve të disa grupeve kriminale në trafikun e lëndëve narkotike, kanë dale edhe emrat e disa politikanëve për shitblerjen e votave.

Pjesë e personave të dënuar është edhe nipi i ish-deputetit Arben Ndoka, Vilson Ndoka.

Të pandehurit janë dënuar përkatësisht:

  1. Ramadan Dushaj me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
  2. Rezart Cacani me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
  3. Neritan Saraçi me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.
  4. Ardit Haxhagiqi me 8 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5,4 vite burgim.
  5. Vilson Noka me 14 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 9,4 vite burgim.
  6. Fatbardh Gostini me 7,6 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5 vite burgim.
  7. Luan Boça me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.

Gjithashtu burimet bëjnë me dije se në këtë gjykim edhe kampioni i botës në mundje, Elis Guri është dënuar për prodhim dhe shitje te narkotikëve me 7 vite burgim, ku në aplikim të gjykimit të shkurtuar është dënuar përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burgim.

I kontaktuar mbrojtësi i Gurit Av. Arber Hoxha u shpreh se vendimi është i pambështetur në ligj dhe në prova, ku brenda afatit ligjor do kundërshtohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit ku do të kërkojmë deklarimin e pafajësisë të të mbrojturit prej meje.