Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri cili është dhe i dërguari i Ramës në Vlorë, paralajmëroi se mund të ndryshohet sistemi zgjedhor dhe në 2021 përpara elektoratit të shkohet me lista të hapura. Nëse nuk gjenden votat për të kaluar draftin e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri tha se do të mundohemi të bëjmë kompromise me opozitën parlamentare, përfshirë mbase edhe hapjen e listave.
“Nuk përjashtoj mundësinë e listave të hapura nëse ne nuk gjejmë dot votat për të kaluar Kodin, natyrshëm që do të mundohemi të bëjmë kompromise me ta, përfshirë mbase edhe hapjen e listave, por është shumë shpejt për të folur. Por nëse nuk sigurojmë votat, është natyrshëm që duhet një kompromis, ose nuk do të kemi ligj zgjedhor.
Listat e hapura, nëse hapen me mënyrën që kërkon opozita, menaxhimi i numërimi i votave do të bëhet i vështirë, do të kërkojë ndërhyrje të tjera, në thjeshtimin e listave që paraqiten nga koalicionet. Opozita gjithmonë e ka kërkuar hapjen e listave, ne nuk kemi thënë se jemi kundër, por do konsensus më të gjerë, por me qëllim që Shqipëria të bëjë zgjedhje duhet të kalojë kodi, se sot nuk kemi kod. Mos më kërkoni të them se kush është përfundimi, pasi është një rrugë që sapo ka filluar dhe një betejë që nuk dihet si do të përfundojë” tha Gjiknuri.
Më tej, përfaqësuesi i mazhornacës në tryezën e Këshillit Politik për Zgjedhoren tha se e rëndësishme është që u arrit marrëveshja me opozitën jashtë parlamentit sepse në këtë mënyrë socialistët rrëzuan sipas Gjiknurit çdo alibi të tyre për zgjedhjet e ardhshme.
“Për ne më e rëndësishme ishte të kishim një marrëveshje me opozitën për të hequr cdo alibi të tyre për zgjedhjet që do të vijnë. Beteja tjetër është në Kuvend, pasi politika është tre polare, nga njëra anë është një opozitë jo parlamentare dhe një në parlament që ka votat, ne nuk i kemi 84 votat, dhe jemi të detyruar të negociojmë, të ushtrojmë trysninë e duhur dhe të akomodojmë ndonjë interes të tyre pa cenuar thelbin e marrëveshjes me PD-në, pasi PS-ja është parti serioze nuk mund t’u shmanget detyrimeve, pasi janë bërë publike, karshi ndërkombëtarëve.