Skip to content
Të Gjitha

Gërdeci/ Familjarët e viktimave: “Nuk duam të paguhemi nga taksapaguesit shqiptarë”

· 2 min lexim

15 marsi i sotëm shënon 11 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, ndër ta dhe fëmijë, e u plagosën shumë të tjerë.

Akoma dhe sot tragjedia e Gërdecit nuk ka marrë zgjidhje para drejtësisë, por familjarët e prekur vazhdojnë betejën.

“Gazetareforma.com” ka kontaktuar me një nga familjet e prekura, familja Durdaj e cila humbi djalin, Erison Durdaj, asokohe 7 vjeç, që në kohën kur ndodhi tragjedia ishte duke luajtur me shokët.

7 vjeçari megjithëse u dërgua për kurim në Itali nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Zamira Durdaj e ëma e Ersionit.

Një nga anëtarët e familjes Durdaj rrëfen se i kanë humbur shpresat te drejtësia shqiptare, pasi u bënë 11 vjet dhe akoma nuk ka asnjë të dënuar.

Ndërkohë që shton se për sa u përket dëmshpërblimeve të marra, burimi në fjalë shprehet se ato janë marrë, por që u takon fajtorëve t’i paguajë ato e jo taksa paguesve shqiptarë.

“Përsa i përket proceseve gjyqësore, ajo penale është mbyllur. Ndërsa në Shqipëri vazhdon vetëm procesi gjyqësor civil. Disa nga familjarët kanë marrë dëmshpërblimet, të paktën ata fëmijë që nuk i kanë prindërit të mos kenë probleme nga ana ekonomike.  Por ne s’duam që këto dëmshpërblime të paguhen nga taksapaguesit shqiptar, por nga ata që e shkaktuan tragjedinë.

U bënë  11 vite dhe asnjë i dënuar, një tragjedi e ndodhur në mes të ditës ku gjithçka është e parë e vërtetuar dhe përsëri asnjë i dënuar.

Drejtësia na ka vrarë për së dyti dhe kjo është akoma më e rëndë, ndërsa fajtoret na dalin e na japin moral në TV.

Procesi gjyqësor në Strasburg është çuar që në 2009-ën dhe ende nuk ka një përgjigje. Po bëhen 11 vite dhe po mbyllet si proces, pasi kështu e parashikon edhe ligji.

Ajo që na ka mbetur të themi është që në  Shqiperi nuk ekziston drejtësia, kur nuk u dënuan fajtorët e Gërdecit,  asnjë çështje tjetër nuk do marri drejtësi. Me aq shumë prova e fakte që kishte kjo çështje s’mund të ketë çështje tjetër e nuk u zgjidh…

Zoti marrtë hak!”-tha anëtari i familjes Durdaj për “gazetareforma.com”