Në seancën e sotme parlamentare pati diskutime të ashpra midis mazhorancës dhe opozitë. E gjithë kjo erdhi pas propozimit të bërë nga Partia Socialiste që të zhvillohen mbledhjet për komisionet parlamentare online.
Deputetët e PD-së nuk kanë rënë dakord me këtë vendim të propozuar nga mazhoranca dhe për këtë arsye kanë propozuar që të gjithë deputetët të bëjnë vaksinën në mënyrë që seanca të zhvillohet normalisht.
Ka qenë nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj ai i cili ka thënë se janë shumë të qarta rastet kur rregullorja tregon se seancat duhet të zhvillohen online. Rushaj ka thënë se ne sot nuk jemi në asnjë nga këto gjendje formale juridike për të cunguar punën e komisioneve parlamentare.
“Rregullorja e thotë qartë se ku janë rastet kur veprimtarit e komisioneve të zhvillohen online. Janë rastet kur vendi ndodhet në gjendje lufte, të fatkeqësisë natyrore dhe masave të jashtëzakonshme. Në këto raste parashikohen kufizime. Ne, sot, nuk jemi në asnjë nga këto gjendje formale juridike për të cunguar punën e komisioneve parlamentare. E vetmja arsye se po bëhen këto janë për të eliminuar parlamentarizmin. Ne nuk e pranojmë. Kërkojmë që ai vendim i paligjshëm që u mor në konferencën e kryetarëve të hidhet poshtë dhe të vazhdohet në përputhje me rregulloren dhe kushtetutën.”, Alfred Rrushaj.
Pas tij ka qenë sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ai i cili ka thënë se do të mbledh tre grupet opozitare dhe se do të vendosin kundër këtij vendimi të mazhorancës. Bardhi thotë se Komisionet Parlamentare janë më të rëndësishme se seancat plenare. Ai ka qëndruar në linjën e Alfred Rushaj dhe ka theksuar edhe një herë se ne nuk jemi në një situatë juridike të përcaktuar me ligj që duhet të zhvillojmë mbledhjet online.
“Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës dua të informoj opinionin publik mbi një akt të paprecedentë të pakicës që ka uzurpuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të masave të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve.”, Gazment Bardhi .
Nga ana tjetër ka qenë Taulant Balla ai i cili në fjalën e mbajtur në seancën plenare ka thënë se duhet të vendosim një afat brenda së cilit në Kuvendin e Shqipërisë dhe komisionet online, nuk duhet të lejohet asnjë deputet pa u vaksinuar. “Ajo që dua të sqaroj është ajo që kemi diskutuar në konferencë të kryetarëve. Ajo që dua të sqaroj këtu, është diskutimi që kemi zhvilluar dhe pika më e rëndësishme është që kemi rënë dakord që kuvendi të vendosë një afat, brenda së cilit në Kuvendin e Shqipërisë të mos hyjë asnjë deputet i pa vaksinuar. Ky është mesazh i fortë i dhënë publikut.”, Tulant Balla.
Pas përfundimit të seancës plenare në një deklaratë për mediat Taulant Balla tha se në konferencën e kryetarëve kanë rënën dakord për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë deputetëve dhe se afati i dy dozave është i përcaktuar nga ekspertët dhe se varet nga lloji i vaksinës.
“Në konferencën e kryetarëve ramë dakord për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë deputetëve. Afati i dy dozave është përcaktim që e bëjnë ekspertët, varet dhe nga lloji i vaksinës. Ky është mesazhi më i mirë që bën kuvendi sot. I bëj thirrje qytetarëve të vaksinohen.”, Taulant Balla
Sjellim në vëmendje se fushatat e vaksinimit anti-COVID në Shqipëri nisi më datë 11 janar 2021 nën sloganin “Shqipëria Buzëqesh”. Qendra e parë e vaksinimit u hap në Tiranë në stadiumin “Air Albania” dhe me pas u hapën në mënyrë kapilare në të gjithë vendin, qendrat e vaksinimit të përqendruar. Aktualisht në vendin tonë është i hapur vaksinimi anti-COVID për çdo qytetarë i cili është mbi moshën 18-vjeç. Lidhur me debatin e zhvilluar ditën e sotme në sallën e Kuvendit për vaksinimin e detyrueshëm të deputetëve, shihet si një vendim i vonuar nga ana e tyre, pasi procesi i vaksinimit është hapur që në 11 janar dhe qeveria ka vendosur për disa kategori vaksinimin e detyrueshëm si studentët, stafet akademike, mjekësore etj. Të parët që duhet të kishin dhënë shembullin e vaksinimit duhet të kishin qenë vetë deputet në mënyrë që popullata të krijonte më shumë besim dhe të mos ishim në këtë fazë ku mijëra qytetarëve po iu rrezikohet jeta pasi janë skeptik për vaksinën.