Skip to content
Politikë

“Fryrja” e administratës, Meta: Maja e ajsbergut të farsës së 14 majit

· 2 min lexim

Ditën e sotme kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka sulmuar qeverinë për tejmbushjen e administratës publike, teksa sipas tij kjo vjen si pasojë e zgjedhjeve të 14 Majit.  Meta u shpreh se punësimet elektorale rëndojnë sot kurrizin e qytetarëve shqiptarë.

Ai thekson se punësimi në këmbim të votës është maja e ajsbergut të farsës së 14 Majit.  Sipas shifrave të publikuara nga BIRN, në prag të zgjedhjeve të 14 Majit u punësuan 1544 punonjës të rinj ose 9% e administratës.

“Ndërkohë që Shqipëria tkurret nga shpopullimi, administratat bashkiake janë tejmbushur nga punësimet elektorale. Vetëm në 19 Bashki, në prag të zgjedhjeve të 14 Majit u punësuan 1544 punonjës të rinj ose 9% e administratës, duke konfirmuar se fenomeni i punësimit të patronazhistëve dhe individëve në këmbim të votës është vetëm maja e ajsbergut të farsës, deformimit dhe pabarazisë së këtyre zgjedhjeve.

Pasojat e punësimeve elektorale sot bien mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë. Ata po detyrohen të paguajnë më shumë taksa për të mbuluar kostot dhe organikat e tejfryra të administratës bashkiake. Shqipëria sot ka 61 njësi vendore numri i punonjësve është rreth 36.000, ndërsa në vitin 2015 numri i tyre ishte 19.625 edhe pse numri i njësive vendore ishte 391.

Kjo tejmbushje e administratës lokale do të thotë vetëm taksa, taksa, taksa për qytetarët tanë. Në Tiranë, qytetarët do duhet të paguajnë disafish taksën e banesës, ndërsa u është shtuar dhe taksa e sigurimit të detyrueshëm. Kjo nuk është ajo që qytetarët tanë meritojnë. Këshilltarët e Partisë së Lirisë do të ngrenë fort zërin në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë. Transparenca dhe Llogaridhënia do të jenë në çdo moment kryefjala e betejës sonë”, deklaron Meta.