Foli për protestën e Rrjollit kundër resortit të Bashkim Ulajt, Kuvendi përjashton 20 ditë Agron Shehajn

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën ka vendosur përjashtimin për 20 ditë të deputetit të partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga punimet e Kuvendit. Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së sekretariatit, pas kërkesës së paraqitur nga mazhoranca.
Sipas Partisë Socialiste, masa disiplinore u kërkua pasi në seancën e kaluar parlamentare Shehaj bllokoi foltoren dhe refuzoi të largohej nga salla edhe pasi ndaj tij ishte marrë vendimi për përjashtim, duke penguar vijimin e punimeve të Kuvendit.
Reagimi i deputetit erdhi pasi ai ngriti në sallën e parlamentit protestën e banorëve të Rrjollit, të cilët prej më shumë se një muaji kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonën e tyre.
Banorët pretendojnë se projekti po ndërtohet në tokat që u përkasin atyre, ndërsa pas investimit qëndron Bashkim Ulaj. Në protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit, ata kanë deklaruar se nuk do ta lëshojnë pronën dhe se ndërtimi po u imponohet me forcë.
Shehaj akuzoi në Kuvend se qeveria po favorizon interesat e oligarkëve dhe se banorëve të Rrjollit po u merret prona për t’i hapur rrugë ndërtimit të resortit.
Ndërkohë, pavarësisht se protesta e banorëve vazhdon prej javësh, çështja ka gjetur shumë pak hapësirë në debatet politike në Kuvend. Zëri i Rrjollit nuk po dëgjohet në parlament, ndërsa interesat që lidhen me projektin e resortit bashkojnë në heshtje si qeverinë ashtu edhe opozitën. Oligarkë si Ulaj, i bëjnë bashkë të dyja palët,
Përjashtimi i deputetit që ngriti këtë çështje në sallën e Kuvendit është një tjetër tregues se konflikti i Rrjollit mbetet jashtë vëmendjes së politikës.