Skip to content
Të Gjitha

Flet avokati i Izet Haxhisë: “Ka dhënë dëshmi të detajuara para SPAK për 27 krime të Berishës, padia ka 143 faqe “

· 2 min lexim

Mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Arena” nga Dritan Hila në RTV ORA, ishte avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri.

Beqiri ka thënë se klienti i tij ka dhënë dëshmi para SPAK për 27 krime që sipas tij i ka kryer ish-kryeministri dhe ish-shefi i Haxhisë, Sali Berisha.

Sipas tij padia përmban 143 faqe dhe në të zbardhen vrasje, që mund të ketë bërë Berisha.

Gjatë intervistës, Beqiri përmendi vrasjen e Shkelqim Haklajt, duke thënë se Haxhia këtë vrashe e ka përshkruar me detaje.

Pjesë nga fjala e Beqirit

Beqiri: Izet Haxhia ka bërë një përmbledhje me 23 krime të kryera nga ish-shefi i tij (Sali Berisha), kjo u formësua në padi për SPAK, sepse një hetues që do të jetë pjesë përbërëse e Byrosë Kombëtare të Hetimit e mori në pyetje Haxhinë, për 23 pikat, që tanimë kanë vajtur 27, dhe në 18 ditë i është marrë padia me 143 faqe. Ato nuk janë thjeshtë deklarime, ai ka trajtuar vrasje, për shembull vrasjen e Shkëlqim Haklajt, me detaje e ka përshkruar.

Izet Haxhia ka qenë truproja e parë e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai studionte për mjekësi, por i ndërpreu studimet në mes, që t’i shërbente si truprojë Sali Berishës për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998.

Krisja e marrëdhënies së tij me Berishën erdhi më 1997.

Në një intervistë aso kohe, Haxhia foli për klane e grupe trafikantësh droge që kanë përfituar dhe qëndrojnë pranë PD-së ku hedhin në erë shtyllat e tensionit.

Ishte koha, kur vëllezërit e Izetit po punonin me Haklajt në policinë e Tropojës dhe po bashkëpunonin me strukturat e UÇK-së që bazën kryesore e kishte në Malësinë e Gjakovës, nga ku furnizonte më pas strukturat e Zonës Operative të Dukagjinit që komandohej nga Ramush Haradinaj.

Izeti u riafrua në PD ditën e nesërme pas vrasjes së Azem Hajdarit, më 13 dhe 14 shtator, ku drejtoi turmat kundër Kryeministrisë dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Në vitin 2005, Izet Haxhia u arrestua ne Turqi.

Ka mbetur enigmë fakti se pse Izet Haxhia u mbajt në Turqi dhe nuk u ekstradua, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë bërë vetëm një kërkesë për ekstradim por edhe ajo u la në harresë.

Ai u ekstradua në vendin tonë ne 2018 dhe që atëherë ka hedhur akuza rë shumta ndaj Berishës.