Familja Plaka në Roskovec hap dyert e mortit, sot përcillen për në varreza dy bashkëshortët e vrarë nga ish-dhëndri

Sot mbahet ceremonia mortore për dy bashkëshortët e familjes Plaka në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, të cilët humbën jetën në krimin e rëndë që ka tronditur vendin. Banorët dhe të afërmit i përshkruajnë të dy të ndjerët si njerëz të qetë, punëtorë dhe të respektuar në komunitet.
Ceremonia do të zhvillohet në orën 11:00, në varrezat e fshatit, me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve dhe banorëve të zonës.
Ndërkohë, ceremonia mortore për autorin e krimit është planifikuar për të dielën në mëngjes. Vendimi për t’i mbajtur ceremonitë në ditë të ndryshme është marrë për të shmangur tensionet mes dy familjeve, të cilat jetojnë në të njëjtën zonë dhe varrosin të afërmit e tyre në të njëjtat varreza.
Ngjarja ka lënë gjurmë të thella në komunitetin e Vidhishtës, ku banorët thonë se do ta mbajnë mend këtë ditë si momentin kur një familje humbi jetën dhe fshati u përball me një nga tragjeditë më të rënda të kohëve të fundit.