Aktivisti i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Ergys Mërtiri në një intervistë televizive tregon si u dhunua nga Policia bashkë me 3 aktivistë të tjerë. Ngjarja ndodhi më 19 dhjetor tek Pedonalja para vendit ku më parë ishte Teatri Kombëtar para se të shembej.
Ai tha se bashkë me Astrit Seranajn, Donald Martinin dhe Gentian Hasanin, janë ndaluar me forcë nga policia sipas tij pa shkak, ndërsa deklaroi se dhuna është përshkallëzuar brenda ambienteve të Komisariatit nr.1.
Mërtiri tha se nuk ishin duke protestuar, por duke shkuar në kafe. Sipas tij, situata ka precipituar për faktin se aktivistët po regjistronin me video me celular, teksa ata po ‘kapeshin’ me Seranajn, duke shtuar se punonjësit e policisë iu kanë fshirë regjistrimet që shërbenin si prova. Po ashtu Mërtiri tha se Astritit gati i thyen krahun, ndërsa Donaldin e goditën në mjekër duke e gjakosur.
Policët po thonin se “Ne jemi në punë, po na pengoni: I thash: ti je në punë, dhe unë po ashtu!”. Telefoni nuk është i imi, por i Donald Martinit. Unë isha afër tij. Telefonat tanë janë sekuestruar dhe na janë fshirë videot. Ishim aty në momentin kur Astritin e lënduan, e goditën, e ndrydhën nga krahët. Na kanë shtyrë, na kanë ofenduar.
Punonjësit e policisë më kanë fshirë videot, ma marrin nga duart telefonin. Në momentin kur lëviz telefoni, e merr polici celularin. Dëgjohet dhe në video. Polici thotë; ‘jepi end, dhe fshije’. Në këto moment policia është duke fshirë videot nga telefoni i Donaldit. Përveç kësaj është ndërhyrë në telefonat tanë. Kjo e thellon situatën. Kanë ndërhyrë për të fshirë provat e dhunës së ushtruar nga policët”.
Mërtiri tha se “Kam dhënë dëshmi në SHÇBA për atë që kam parë. Nga fillimi deri në fund. Kam qenë dëshmitar i ngjarjes. Kemi një kafe ku mblidhemi në një kafe me Aleancën. Në momentin kur po i bija rrotull për të shkuar tek pedonalja, shoh Astrit Seranajn që po tërhiqej. Astriti nuk dinte arsyen e shoqërimit. Polici thoshte; “eja me ne, s’do të japim ne llogari”. Astriti iu tha; “pse të vij?!”. Shkoj dhe i pyes policët; “Pse po e shoqëroni?!”. Mes dy policëve ishte dhe një civil, i cili m’u hakërrye dhe më tha pak a shumë; “ik se do gjesh belanë”. M’u kthye me kërcënim dhe më ka shtyrë. I thash; ç’është kjo sjellje?!’ Më pas nxora telefonin. Nisa të filmoja. Më kërcënuan duke thënë; “mos filmo se do të marrim dhe ty”. Më pas vijnë dhe dy pjesëtarë të tjerë të Aleancës. Një pjesë e filmoi duke transmetuar live tek Aleanca. Kjo zgjati rreth çerek ore. Titi (Astriti) ka pasur raste kur shtrihej në mes të rrugës nga policët. Ishte kafshëri, kishte fjalor policesk. Ne filmonim. Aty ishte një grup i madh policësh, ku një prej tyre goditi. Tentova që t’i filmoja numrin e tij, që të identifikohej. Më pas Donaldin e goditën nga duart dhe i hodhën telefonin. Ia marrin telefonin dhe mua po ashtu. Na dërguan në komisariatin nr.1”, tregon Mërtiri.
Donaldi dhe Astriti janë nxjerrë me një akuzë ku kanë shfaqur mosbindje ndaj policisë. “S’e di deri ku shkon në aspektin ligjor e drejta e një qytetari ndaj një polici, por nuk shoh asnjë krim kur i thua një efektivi që; kjo që po bën është e padrejtë. Se shoh problem penal këtë. Donald Martini s’ka bërë asnjë rezistencë. Policia nuk ka të drejtë që të thotë; mos filmo. U shoqëruam 4 persona”, deklaron Mërtiri.
/Gazetareforma.com/