Paralelisht me studentët e universiteteve publike në Tiranë, të cilët janë ngujuar nëpër fakultete, edhe kolegët e tyre të ‘Aleksandër Xhuvanit’ në Elbasan dhe ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës protestojnë.
Ndonëse në një numër të vogël, rreth 15-20 studentë kanë vijuar protestën në Elbasan, ndërkohë që nëpër auditore zhvillohet mësimi. Protestuesit iu bëjnë thirrje kolegëve të tyre që t’i bashkohen protestës, për plotësimin kështu të 9 kërkesave drejtuar qeverisë.
Po ashtu studentët e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës, kanë zhvilluar ditën e sotme një takim brenda Universitetit, të thirrur nga disa anëtarë të Këshillit Studentor.
Në përfundim, studentët arritën në konkluzionin se rruga e vetme, që çon drejt plotësimit të 8 kërkesave, por më e rëndësishme, rrëzimi i Ligjit të Arsimit të Lartë është bojkoti i procesit mësimor.
“Universiteti është i yni, dhe rezistencën sigurisht që do ta bëjmë brenda mjediseve të fakulteteve. Duke filluar nga ora 07:00, ditën e martë studentët e UAMD-së do të qëndrojnë brenda mjediseve universitare, si kolegët tanë në pothuajse gjithë vendin. Procesi mësimor është shumë i rëndësishëm për neve, por akoma më e rëndësishme është një sistem cilësor i arsimit, kësisoj, studentët e UAMD duke filluar nga nesër nisin bojkotimin e mësimit, derisa qeveria të rrëzojë ligjin e arsimit të lartë dhe plotësimin e kërkesave tona. Universiteti është i yni
Universitetin e bëjmë vet. Ligjet klienteliste nuk i pranojmë. Bashkohuni me studentët nesër në orën 07:00 pranë UAMD Ppitallë, kampus 2”, thuhet në njoftimin e studentëve.