Skip to content
Kryesore

Ekzekutimi i Viktor Bardhit në Mirditë/ Gjendet e djegur makina e dyshuar e autorëve në Munaz, familja e goditur për herë të tretë nga vrasjet

· 1 min lexim

Një automjet i djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ekzekutimit të Viktor Bardhit, është gjetur në fshatin Munaz të Mirditës.

Viktor Bardhi, 67 vjeç, u gjet mëngjesin e sotëm pa shenja jete brenda automjetit të tij në Ndërfushaz të Mirditës. Hetimet janë përqendruar në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit, ndërsa makina e djegur e gjetur në Munaz dyshohet se mund të ketë shërbyer për largimin e tyre pas krimit.

Vrasja e 67-vjeçarit rikthen në vëmendje një seri ngjarjesh të rënda që kanë goditur familjen Bardhi në vitet e fundit.

Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua në vitin 2023 në Rrëshen, në një ngjarje të lidhur me motive hakmarrjeje.

Më pas, në janar të vitit 2025, u vra edhe nipi i tij, Kristian Bardhi. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa ndodhej në autostradën Fier-Vlorë.

Tashmë, me ekzekutimin e Viktor Bardhit, familja goditet për herë të tretë nga një vrasje brenda pak vitesh. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar nëse krimi i sotëm ka lidhje me konfliktet dhe ngjarjet e mëparshme apo nëse pas tij qëndron një tjetër motiv.