Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Sebastjan Mali, të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Hekuran Billës në 11 qershor të këtij viti. Mali dyshohet se ka ndjekur me makinë viktimën duke ndihmuar autorët për t’i zënë pritë në zonën e Komunës së Parisit.
Ai u zbulua për shkak të makinave që kishte marrë me qira bashkë me dajën e tij Viktor Marku, i dyshuar si autor i ekzekutimit. Ky i fundit është vëllai i Prel Markut, i cili ishte vrarë nga Billa në vitin 2006 në kryeqytetin britanik.
Lidhja e tij në vrasjen e Billës, është faktuar edhe nga zbardhja e telefonatave mes tij dhe Lakrës. I riu gjithashtu kishte marrë një makinë me qira në Shkodër dhe mbrëmjen e atentatit po vëzhgonte viktimën. Vetë Mali ndërkohë ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria, duke thënë se ishte gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes.
Në lidhje me këtë ngjarje, janë lënë në burg, Viktor Marku, që dyshohet se ka shkrepur armën, Sebastian Mali, Adjola Lakra dhe Gjekson Pushi.
Hekuran Billa u ekzekutua më 12 qershor pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë, ku kishte shkruar për të takuar motrën e tij që punonte në këtë qendër tregtare. Në orën 21:48 të së enjtes, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit ‘BMË X6”, nga ekzekutori, i cili dyshohet se është vëllai i Prel Markut, Viktori. Ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të tij, dhe iu deshën vetëm 3 sekonda për të vrarë biznesmenin. Hekuran Billa është i përfshirë në trafikun e drogës në Angli dhe në rrjetin e prostitucionit. Në vitin 2006 ai ka ekzekutuar me armë zjarri 22-vjeçarin Prel Marku, ngjarje për të cilën ishte dënuar me burg të përjetshëm, por u lirua nga gjykatat shqiptare.