Ekskluzive/ Zbulohen shkeljet e reja në Rinas: Pas grabitjes së parë, u ulën masat e sigurisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prej më shumë se një muaji, aeroporti i Rinasit është vënë në qendër të vëmendjes së mediave në vend, por edhe të organeve të drejtësisë shqiptare pasi që prej grabitjes së 6 milionë dollarëve më 8 prill, dita-ditës zbulohen shkelje të reja të kompanisë koncesionare që administron aeroportin.

Përveç gjobës prej 10 mijë dollarësh që TIA ka marrë së fundmi nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (lexo këtu) dhe largimit të drejtorit të përgjithshëm Rolf Castro-Vasquez jashtë vendit në kohën kur hetimet janë në kulmin e tyre (lexo këtu), “gazetareforma.com” ka zbuluar një tjetër abuzim në departamentin e sigurisë së aeroportit.

Burime për “gazetareforma.com” bëjnë me dije se tashmë çdo individ apo automjet që do të ketë akses në pistë, duhet të pajiset me një fletëhyrje që aprovohet nga policia. Ky rregull u vendos në një marrëveshje mes TIA-s dhe Policisë së Shtetit pas grabitjes së 990 mijë eurove në aeroport në vitin 2016.

Megjithatë, menaxherja e sigurisë në Rinas, Klarita Angjeli, duket se e ka parë si të panevojshme këtë masë sigurie, dhe disa kohë më parë, ka urdhëruar që fletëhyrjet ditore të lëshoheshin pa aprovimin e policisë. Siç ka mësuar “gazetareforma.com” për këtë çështje është në dijeni dhe Autoriteti i Aviacionit Civil dhe është përmendur dhe në raportin auditues që situata po përmirësohet dhe fletëhyrjet do i dërgoheshin sërish policisë për aprovim.

Por në realitet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka dëshmon qartazi mungesën e përgjegjshmërisë nga ana e Departamentit të Sigurisë në rastin më të mirë, ose atë të implikimit në aktet kriminale që kanë përfshirë aeroportin më të madh në vend. Megjithatë, për të përcaktuar ekzaktësisht përgjegjësitë e drejtuesëve të TIA-s në këtë çështje, do të duhet të presim përfundimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që me shpresë, do të mund të dalë mbi interesat e palëve të përfshira në skandal.

Deri më sot, lidhur me këto shkelje flagrante, mësohet se menaxherja e sigurisë Klarita Angjeli është thirrur në Prokurori për të deponuar vetëm një herë, por ndaj saj nuk është marrë asnjë masë e mëtjeshme, pavarësisht se është një nga përgjegjëset kryesore për grabitjen e 8 prillit.

Dhe për të kaluar tek “peshat e rënda”, mësohet se Prokuroria ende nuk ka lëshuar një fletëthirrje për drejtorin e përgjithshëm të TIA-s Rolf Castro-Vasquez, i cili si në rastin e grabitjes së parë, me siguri ka vendosur të marrë pushimet, derisa situata të rikthehet në normalitet e të vijojë i pashqetësuar aferat e tij.

Sakaq, situata në Rinas duket se tashmë është harruar edhe nga qeveria që deri pak ditë më parë, shprehu gatishmërinë për të marra masa të forta lidhur me shkeljet flagrante nga ana e koncesionarit.

“Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë.”- u shpreh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku pas grabitjes, duke lënë të kuptohet se kësaj radhe përpara drejtësisë do të dilnin “peshat e rënda”.

Si ministrja Balluku, ashtu dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe zëvendës kryeministri Erion Braçe, u shprehën se përgjegjësinë për grabitjen e ka kompania koncesionare që rrjedhimisht duhet të dalë para drejtësisë. Por një gjë e tillë duket se do të jetë e vështirë të realizohet për sa kohë drejtuesit e TIA-s nuk trajtohen ashtu siç do të ndodhte në çdo vend të botës ku ligji funksionon: si të dyshuar për përfshirje në një vepër kriminale!

Shpërndaje
Share.

Komento