Në aeroportin e Rinasit si në pazar! Si u gjobit TIA me 10 mijë $ vetëm 4 ditë para grabitjes

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Teksa ka kaluar një muaj nga supergrabitja e 6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, dalin në dritë të tjera shkelje nga kompania koncesionare që menaxhon aeroportin. Vetëm 4 ditë para grabitjes, mësohet se TIA është gjobitur me 10 mijë dollarë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Siç shihet në dokumentat e siguruara nga “gazetareforma.com”, komisioneri ka gjetur disa shkelje të rënda përsa i përket ruajtjes së privatësisë në Departamentin e Sigurisë të TIA-s, veçanërisht në lidhje menaxhimin e  të dhënave për pajisjet me karta ID të aeroportit, që shfrytëzohen nga punonjësit e TIA-s, kompanitë ajrore, diplomatët, policia etj.

Sipas komisionerit, TIA nuk ka përcaktuar politika dhe rregullore për informimin e subjekteve që dorëzojnë të dhënat personale rreth detajeve për të cilat ata duhet të jenë në dijeni, nuk ka një rregullore të brendshme për procedurat e përpunimit të të dhënave personale etj.

Por ndër shkeljet e gjetura, bie në sy se të dhënat personale të stafit të aeroportit apo kujtdo që ka akses në të, mbaheshin në një ambient të hapur e të pasigurt, duke vënë në rrezik subjektet që kishin dorëzuar të dhënat.

Gjithashtu, sipas komisionerit, është konstatuar se kartat ID të cilave u kishte mbaruar afati, mbaheshin nga kontrolluesi në tejkalim të qëllimit të përpunimit.

“Kartat ishin vendosur në një qese të tejdukshme dhe mbaheshin në tavolinën e specialistit përkatës…”-shkruhet në dokument, duke të krijuar idenë se bëhet fjalë për një pazar, e jo për aeroportin më të madh në vend ku siguria duhet të jetë maksimale.

Gjithashtu, mësohet se se TIA ishte urdhëruar që në 2014-ën që të merrte masa për këto shkelje, por siç duket të ketë ndodhur me çdo paralajmërim, edhe ky është injoruar nga drejtuesit e kompanisë koncesionare, duke u pasuar nga dy grabitje spektakolare që në total arrijnë në shumën 7 milionë euro.

Mes TIA-s dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është zhvilluar një seancë dëgjimore ku përfaqësuesit e kompanisë koncesionare pretenduan se masat në fjalë ishin marrë, pretendime që u hodhën poshtë nga Komisioneri si të pafaktuara.

Kështu, TIA ka marrë një gjobë me vlerë monetare 1.250.000 lekë, ç’ka sigurisht është asgjë krahasuar me paratë që ky koncesion dhe drejtuesit e tij vjelin çdo ditë falë abuzimeve e lidhjeve klienteliste.

Por teksa skandalet në “Tirana International Airport” shtohen dita-ditës, gjasat janë që dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda do të  zgjohet nga gjumi i thellë e më në fund do të thërrasë përpara drejtësisë kriminelët me dhe pa kollare për vjedhjet marramendëse të aeroportit të Rinasit (lexo këtu).

Shpërndaje
Share.

Komento