Edhe pse i ka mbaruar mandati më 22 dhjetor të 2018, Bujar Leskaj, vijon të qëndrojë në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
KLSH-ja, edhe pse në heshtje, është një tjetër pikë përplasjeje mes Ramës dhe Metës. Dy ish-aleatët, ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të vendosur emrin e ri, i cili pritet të drejtojë institucionin që ka në dorë kontrollin e financave publike.
Mandati i kryetarit të KLSH-së, i cili zgjat 7 vjet, u diskutua në media që do t’i kalonte Vitore Tushës. Tusha, ishte kandidatja numër një e Ilir Metës, i cili donte t’i besonte çelësat e KLSH-së për 7 vitet e ardhshme. Ajo njihet si gjyqtarja që me vendimin e saj la në burg ish-kryeministrin Faton Nano. Edhe pse prej vitesh i shërben institucioneve më të larta të Drejtësisë, Tusha, nuk arriti që të fitonte besimin e Ramës.
Meta i propozoi Kuvendit Tushën si kandidate të mundshme për KLSH, por ky propozim u rrëzua.
Pas këtij refuzimi, Ilir Meta vendosi të mos dekretonte largimin e Leskajt nga KLSH, duke e lënë në detyre deri në momentin që të dalë emri i ri.
“Nëse organi i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të përfaqësohej nga një funksionar tjetër dhe jo nga Kryetari i tij, kjo do të zhvishte atë nga mbrojtja kushtetuese dhe ligjore që ka ky institucion dhe në këtë mënyrë do të cënohej integritet dhe pavarësia e tij“, thuhet në letrën që Presidenti Meta i drejtoi Bujar Leskajt dhe kryetarit të Kuvendit.
KLSH, edhe pse është lënë në heshtje, është një tjetër fushë-betejë mes qeverisë dhe presidencës dhe duket se së shpejti diçka do të lëvizë.
Burime ekskluzive për “gazetareforma.com”, bëjnë me dije se pas largimin të tij nga KLSH-ja, Leskaj pritet të “shpërblehet” me postin e kryetarit të SHISH-it, duke zëvendësuar Helidon Bendon në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Kjo është kthyer në një rutinë në politikën shqiptare, ku drejtuesit e rëndësishëm, pas largimit të tyre, emërohet në poste sërish të rëndësishme. I tillë ishte rasti i Visho Ajazit, që pas largimit nga SHISH, u emërua ambasador në NATO.
Po cili do të jetë fati i Helidon Bendos, drejtuesit aktual të SHISH-it?
Edhe pse ka thuajse një vit e gjysëm në krye të SHISH-it, vetëm para pak kohësh, Meta ka firmosur dekretimin e tij.
Ka qënë kryeministri Rama, që pas largimit të Visho Ajazit, propozoi në tetor të 2017, Helidon Bendon si drejtuesin e ri të SHISH-it.
Por, Meta e ka dekretuar emrin e tij vetëm në nëntor të 2018. Sakaq, burime të rezervuara për “gazetareforma.com”, tregojnë se gjithashtu ka gjasa që Bendo të marrë postin e Bujar Leskajt në krye të KLSH-së, por këta zëra janë ende të pakonfirmuar.