Skip to content
Bota

Edhe Theresa May kërkon…dialog

· 1 min lexim

Para dy ditësh, Parlamenti britanik rrëzoi marrëveshjen e Theresa May me Brukselin, ndërkohë që më pas qeveria u ‘kërcënua’ me një mocion votëbesimi.

Edhe pse May u gjunjëzua, pas rrëzimit të marrëveshjes, parlamenti i dha votëbesimin kryeministres britanike për të vazhduar punën në krye të qeverisë.

May fitoi falë votave të deputetëve të saj konservatorë, si dhe demokratëve unionistë të Irlandës së Veriut, që e mbështetën atë në një rezultat të ngjashëm me atë të referendumit të “Brexit”-it, 52 për qind pro dhe 48 për qind kundër.

Mocionin për votëbesim e kërkoi udhëheqësi i opozitës laburiste, i cili e cilësoi qeverinë aktuale gjatë debatit parlamentar si “qeveri zombie”.

Votimi i një dite më parë ishte thjesht një ndalesë në garën e saj për ta çuar deri në fund “Brexit”-in, pavarësisht nga forma e arritjes së saj.

Pjesa më e vështirë për nxjerrjen e Britanisë nga labirinthi i “Brexit”-it sapo ka filluar, kur kanë mbetur vetëm 72 ditë nga data e fiksuar për divorcin përfundimtar të Britanise nga Bashkimi Europian, siç qëndrojnë punët deri në këtë moment.