Skip to content
Kryesore

“E përdhunuan para kamerave”/ Rama për nënën e moshuar me djalin autik: Protestuesit e përdorën si mburojë politike

· 2 min lexim

Edi Rama ka reaguar për rastin e gruas së moshuar, e cila mori pjesë në protestë së bashku me djalin e saj në spektrin e autizmit dhe u godit me ujë me piper nga policia. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama akuzoi protestuesit se e përdorën gruan për qëllime politike, duke e vendosur në qendër të përplasjes me policinë dhe institucioneve.

Sipas tij, qeveria ka dyfishuar mbështetjen për fëmijët me autizëm dhe nënat e tyre, por pranoi se përjetimi i gruas ka qenë ndryshe nga rezultatet që, sipas tij, ka arritur qeveria. Rama tha se ajo nuk ka ndjerë empatinë e institucioneve dhe se kjo është shfrytëzuar nga kundërshtarët politikë.

“Një histori që e keni parë të gjithë. Atë nënën, me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te parlamenti, për ta kthyer në viktimën e policisë për të mbrojtur deputetët nga ata të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë. Ne sapo kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë dhe për nënat e tyre. Përjetimi i asaj nëne është tjetër. Ajo mund të mos jetë e informuar, ose dhe mund të jetë. Por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë në fundin e atij hendeku mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese. Në fund të atij hendeku e futën sorrat dhe korbat, dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë me vete te Parlamenti, me të njëjtin manual që përdorin terroristët që i përdorin si mburojë teksa sulmonin me maska policinë e shtetit. E vunë para kamerave, e përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për t’i qarë hallin. E futën në rrjet dhe më pas e lanë në fatin e saj dhe u nisën për te mikrofoni në Bulevard. Si ata skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë mish për top të tjerët dhe kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz duke mbajtur fjalime në emër të viktimave të shtetit policor”, deklaroi Rama.

Komentet e tij vijnë pas reagimeve të forta që shkaktoi ndërhyrja e policisë ndaj gruas së moshuar dhe djalit të saj gjatë protestës, ku pamjet e përdorimit të ujit me piper u shpërndanë gjerësisht dhe nxitën debat publik.