Skip to content
Kryesore

E dënuar për terrorizëm në Turqi dhe me azil politik në Francë, Julide Yazici ankimon burgun në Shqipëri: Kërkon “arrest shtëpie”

· 2 min lexim

Mbrojtja e aktivistes turke Julide Yazici po përgatit ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila caktoi ndaj 32-vjeçares masën e sigurisë “arrest në burg”, në pritje të procedurave që lidhen me kërkesën e autoriteteve turke për ekstradimin e saj.

Mësohet se të hënën, Yazici do të dorëzojë zyrtarisht ankimin në Gjykatën e Apelit, ku do të kërkojë zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Mësuesja 32-vjeçare u arrestua më 5 gusht në Aeroportin e Rinasit, teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë verifikimeve në pikën kufitare rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.

Yazici është dënuar nga Gjykata e Stambollit me 4 vite e 2 muaj burg për veprat penale “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Sipas autoriteteve turke, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.

Çështja merr një dimension të veçantë edhe për shkak të statusit të 32-vjeçares në Francë. Sipas informacioneve të bëra publike pas arrestimit, Yazici ka përfituar azil politik në Francë, pasi pretendon se në Turqi i rrezikohet jeta.

Rreth shtatë vite më parë, gjatë kohës kur ishte studente në Universitetin Boğaziçi të Stambollit, ajo mori pjesë në protesta kundër qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan. Mediat turke e kanë identifikuar si aktiviste të lëvizjes studentore, të angazhuar në protesta dhe kauza për të drejtat civile.

Yazici ishte arrestuar fillimisht në vitin 2016, ndërsa autoritetet turke e akuzuan për lidhje me një organizatë terroriste. Ajo dhe mbështetësit e saj i kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se ndjekja penale lidhet me aktivitetin e saj politik dhe pjesëmarrjen në protestat studentore.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në ambientet e paraburgimit në Shqipëri, Yazici është kontaktuar edhe nga përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Përfaqësuesit e organizatës po monitorojnë respektimin e të drejtave të saj gjatë procesit.

Paralelisht me ankimin për masën e sigurisë, mbetet në pritje procedura për ekstradimin. Autoritetet turke duhet të përcjellin dokumentacionin zyrtar përkatës, ndërsa Gjykata e Tiranës do të duhet të shprehet më pas nëse do ta pranojë ose jo kërkesën e Turqisë për ekstradimin e 32-vjeçares.