Dyshohet se ka falsifikuar dokumentat, sekuestrohen 2.3 milion euro pasuri në Radhimë
Policia ka vendosur sekuestro për një sipërfaqje prej 23 mijë metrash katrorë të mbjellë me pemë në Radhimë.
Vlera e saj shkon deri në 2.3 milion euro dhe dyshohet se është blerë me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Sipas policisë pasuria i përkiste shtetasit me iniciale A.L.
Ky i fundit dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Falsifikim dokumentash”.
Dyshohet se ky shtetas e ka përfituar këtë pasuri nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
Njoftimi i plotë:
Vlorë Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale. Vendoset sekuestro preventive për një sipërfaqe toke të mbjellë me pemë, që kap vlerën 2. 3 milionë euro.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, ka bërë ekzekutimin e një tjetër vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për vendosjen e masës së sigurisë pasurore “Sekuestro preventive”. Kjo sekuestro është bërë mbi sipërfaqen 23 000 m2, e mbjellë me pemë në zonën e Radhimës, vlera financiare e së cilës kap shifrën rreth 2.3 milionë euro.
Ky sekuestrim pasuror u bë në kuadër të hetimit ndaj shtetasit A. L., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ka rezultuar se ky shtetas dyshohet ta ketë përfituar këtë sipërfaqe pemëtore me anë të falsifikimit të dokumenteve. Veprimet e mëtejshme ndiqen nga ana e Prokurorisë.