Dy medalje për Shqipërinë në Taranto 2026, Dudaev shpallet kampion

Mundja i ka sjellë Shqipërisë dy medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me Islam Dudaev që u ngjit në majën e podiumit dhe Zelimkhan Abakarov që siguroi medaljen e argjendtë.
Dudaev fitoi medaljen e artë në peshën deri në 74 kg të stilit të lirë, pas një paraqitjeje dominuese gjatë gjithë turneut. Në finalen për titull, mundësi kuqezi po kryesonte 4-0 ndaj Fati Vejselit nga Maqedonia e Veriut, përpara se kundërshtari të tërhiqej për shkak të një dëmtimi.
Kështu, Dudaev mbylli garën në shkallën më të lartë të podiumit, duke i dhuruar Shqipërisë medaljen e artë.
Ndërkohë, Zelimkhan Abakarov siguroi medaljen e argjendtë në peshën 65 kg, po në stilin e lirë. 33-vjeçari shqiptar u mposht në finalen e kësaj kategorie me rezultatin 4-2 nga sportisti turk Ahmed Duman.
Abakarov tentoi të rikuperonte në pjesën e dytë të ndeshjes, por nuk arriti të përmbyste disavantazhin e krijuar që në periodën e parë, duke e mbyllur Lojërat Mesdhetare me medaljen e argjendtë.